Raporti i auditimit për Komunën e Ferizajt për dy vitet financiare, i realizuar nga Auditori i Përgjithshëm, ashtu siç veprohet rregullisht dhe për secilën komunë nuk është se e ka nxjerr mirë Komunën e Ferizajt, duke i konsideruar si shkelje të rënda shumë aktivitete të kësaj komune për ridestinimin e mjeteve nga projektet ekzistuese në projekte tjera , aktivitete këto, të realizuara gjatë viteve 2018-2019.
Ky raport i auditimit për vitin financiar 2018, i përfunduar më 31 dhjetor 2018 dhe i publikuar në qershor 2019 ka gjet një varg shkeljesh sa i përket projekteve kapitale të realizuara në këtë komunë.
Në çështjen B2- që i referohet pagesave të projekteve nga buxhetet e projekteve tjera, Auditori i Përgjithshëm në 11 raste ka gjetur se komuna ka ekzekutuar pagesa duke mos siguruar paraprakisht aprovimin e Kuvendit Komunal për ridestinimin e mjeteve.
Në këto raste mjetet ishin përdorur nga projektet e tjera, duke anashkaluar kërkesën ligjore të Ligjit të Buxhetit, përkatësisht nenin 16 për aprovimin e asamblesë komunale për ridestinimin apo përdorimin e mjeteve të planifikuara nga një projekt për të realizuar pagesën për projektin tjetër.
Ky raport ka listuar edhe projektet, te të cilat është përdorur kjo praktikë, e që janë:
“Pagesat për blerjen e tokave” në vlerë 184,859€ janë paguar nga “Ndërtimi i rrugëve lokale”;
· Pagesa në shumë prej 7,758€ për projektin “Asfaltimi e rrugës Rahovicë – Mirash”, ishte bërë nga projekti “Kanalizimi atmosferik dhe riasfaltimi i rrugës Hasan Prishtina”; Pagesa për projektin “Asfaltimi i rrugëve në fshatin Dardani” në vlerë 2,331€ është marrë nga projekti “Asfaltimi e rrugës Rahovicë – Mirash”; Pagesat e bëra për kontratën “Riparimi i rrjetit të kanalizimit fekal në komunën e Ferizajt” në vlerë 266,606€ janë paguar nga projektet ”Asfaltimi i rrugës në lagjen Mustafa-Pleshinë e ulët” 56,399€; “Asfaltimi i rrugëve në fshatin e Vjetër” 70,000€; projekti “Lidhja e lagjes së Cakajve me shkollën në Meresalë” 24,409€; dhe “Aktivizimi i pishinës për të rritur dhe fëmijë”115,798€. Kjo ka ndodhur për shkak të nënshkrimit të kontratave pa zotim të mjaftueshëm të fondeve apo edhe projekteve të pa planifikuar.
Raporti ka paraparë si rrezik shfrytëzimin e fondeve pa miratimin paraprak të Kuvendit Komunal për ridestinim të mjeteve, e që një shfrytëzim i tillë reflekton me kontrolle të dobëta në planifikim, duke rrezikuar pagesën dhe realizimin e projekteve tjera të kontraktuara.
Rekomandimi që doli nga auditimi për vitin financiar 2018 është se fillimisht kryetari duhet të siguroj që në planifikim të përfshihen të gjitha projektet që ekzistojnë mundësitë reale të realizohen dhe të ndahet buxhet i mjaftueshëm për ekzekutimin e tyre. Gjithashtu, kontrollet duhet të jenë funksionale edhe në fazën e realizimit të projekteve, duke siguruar paraprakisht se hyrja në obligime kontrktuale është në përputhje me planifikimin e aprovuar dhe ka mjaftueshëm fonde të zotuara për realizimin e pagesave. Dhe në rast se paraqitet nevoja për ridestinim të mjeteve, duhet të sigurohet miratimi paraprak i Kuvendit Komunal.
Por, të gjetura dhe rekomandimet e Auditorit të Përgjithshëm i ka shpërfillur Komuna e Ferizajt edhe në vitin pasues.
Në Raportin e Auditimit për Komunën e Ferizajt i përfunduar me 31 dhjetor 2019 dhe i bërë publik në korrik 2020, përsëriten shkeljet e njëjta përsa i përket ridestinimit të mjeteve.
Po ashtu, në çështjen B8- për vitin 2019 auditori ka gjetur se janë realizuar pagesa nga buxheti i projekteve të tjera, duke shkelur Ligjin për Buxhetin, i cili në nenin 16 pika 9 përckton se: ” Ndryshimet në shumat e alokuara për projektet ekzistuese apo zëvendësimin e projekteve kapitale të komunave, të prezantuara në tabelën 4.2, dhe projektet nga fondet e bartura nga vitet paraprake si dhe të regjistruara në SIMFK duhet të aprovohen paraprakisht nga Kuvendi Komunal”.
Raporti, përsëri, ka identifikuar se komuna ka ekzekutuar pagesa duke mos siguruar paraprakisht aprovimin e Kuvendit Komunal për ridestinim të mjeteve.
Kjo është vërejtur tek projektet në vijim: · Pagesa në vlerë 169,654€ për “Riparimin dhe zgjerimin e rrjetit të ndriçimit publik në territorin e komunës së Ferizajt” është realizuar nga kodi i projektit “Asfaltimi i rrugicave në qytet” dhe pagesa në vlerë 59,935€ është realizuar nga kodi i projektit “Ndërtimi i ambulantës në Nerodime”. · Pagesa në vlerë 20,488€, për “Ndërtimin e bazamentit të Bustit dhe rregullimi i kompleksit të dëshmorit të kombit në fshatin Softaj, Ferizaj” është realizuar nga kodi i projektit ‘’Asfaltimi me katër korsi i Rrugës Cen Dugolli dhe Reçakut” · Pagesa në vlerë 75,000€ për “Riparimin e rrjetit të kanalizimit fekal dhe rrjetit të ujësjellësit në Komunën e Ferizajt” është realizuar nga kodi i projektit për “Ndërtimin e qendrës për thirrje emergjente”, dhe pagesa në vlerë 20,272€ është realizuar nga kodi i projektit për “Asfaltimin me katër korsi i Rrugës Cen Dugolli dhe Reçakut”. · Pagesa me vlerë 11,770€ për “Përkrahjen e fermerëve me mekanizëm bujqësor” është paguar nga kodi i projektit për “Ndërtimi i infrastrukturës për mbrojtjen e kulturave bujqësore nga breshëri”. Gjithashtu pagesat nga projekte tjera kishin ndodhur edhe gjatë ekzekutimit të pagesave nga thesari në bazë të, nenit 39.2 dhe vendimeve përmbarimore. · Pagesa e kryer nga Thesari, për “Furnizim me libra për bibliotekën e qytetit Sadik Tafarshiku, Ferizaj” në vlerë 64,353€ është realizuar nga kodi i projektit “Përkrahja e fermerëve me destinim zhvillimin e bujqësisë”.
Të gjitha këto, siç thekson auditimi për këtë vit kanë ndodhur për shkak të mungesës së mjeteve buxhetore, të shkaktuara nga hyrja në obligime pa mjete të mjaftueshme, si dhe nga pagesat e realizuara nga thesari (marrja e buxhetit nga projektet që kanë mjete të lira). Edhe për vitin 2019, auditori ka gjetur se shfrytëzimi i fondeve pa aprovimin paraprak të Kuvendit Komunal për ridestinim të mjeteve, pagesat e ekzekutuara me nenin 39.2 dhe pagesat me vendimet e gjykatave shpërfaqin kontrollet e dobëta në planifikim dhe realizim duke rrezikuar/ndikuar në mos realizimin e projekteve të parapara sipas planit për projektet kapitale.
Rekomandimin e dhënë për auditimin e vitit 2018 si duket ekzekutivi i Ferizajt nuk e morri parasysh, çka bëri që sërish t’i rekomandohet kryetarit që fillimisht duhet të siguroj që në planifikim përfshihen të gjitha projektet, për të cilat ekzistojnë mundësitë reale të realizohen dhe të ndahet buxhet i mjaftueshëm për ekzekutimin e tyre. Nëse paraqitet nevoja për ri destinim të mjeteve, duhet të sigurohet aprovimi paraprak i Kuvendit Komunal.
Referuar këtij auditmi ku gjenden shkelje të rënda, Raporto i ka parashtruar pyetje Prokurorisë Themelore të Ferizajt se çfarë ka ndërmarr kjo prokurori bazuar në shkeljet e bëra nga ekzekutivi i kësaj komune.
Në përgjigjen e Prokurorisë konfirmohet se Prokuroria Themelore në Ferizaj ka autorizuar policinë për ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore lidhur me këto raste.
Tanimë, kur është përmbyllur edhe viti fiskal 2020, Auditori i Përgjithshëm ka filluar me auditimin eaktiviteteve të komunave, andaj, mbetet të shihet se a i ka marr parasysh gjetjet dhe rekomandimet e të njejtit, Komuna e Ferizajt apo ka vepruar jashtëligjshëm si në dy vitet paraprake.







