Qytetarë

“Ato që si qetëson stupci, i qetëson plumbi”, dy persona të rrezikshëm shfaqin publikisht mendësinë kriminale

Qytetarë me mendësi kriminale kanë komentuar tek lajmi për denoncimin e xhudistit Akil Gjakova për dhunë fizike ndaj gruas së tij. Një nga ta ka thënë se “gratë e sotit vetëm plumbi i rehaton”, teksa një qytetar tjetër ka thënë se “vetëm druni e stupci po i qetëson”.

Gruaja e xhudistit të njohur kosovar, Akil Gjakova, ka deponuar fotografi në Gjykatë, me të cilat pretendon se është rrahur nga ky i fundit. Ata ndodhen në proces divorci.

Madje, sot në mëngjes, siç ka mësuar Insajderi, gruaja e xhudistit së bashku me fëmiun e tyre kanë tentuar të hyjnë në banesë ku edhe banojnë, por ka qenë Akil Gjakova që i ka ndaluar të hyj.

Lidhur me këtë lajm, disa qytetarë kanë “shfrenuar” mendësinë kriminale në ‘Facebook’. Egzon Reshani ka komentuar duke thënë se “ gratë e sotit veq plumi i rahaton”.

“jan qu pesh baco grat e sodit veq plumi i rahaton!”, thuhet në komentin e tij.

Ndërkaq, Skender Rexhepi ka thënë se me gra gjuha e vetme është dhuna.

“O grat lypin dru ma shum Se shporeti e ato qe si qetson mirsija dialogu morali e edukata ,druni e stupci po i qetson Plumbi”, ka shkruar ai me përplot gabime drejtshkrimore.

Reshani rezulton të ketë të kaluar kriminale. Ai më 2022-ën u arrestua për gjuajtje me armë në një lokal në fshatin Lubizhdë të Prizrenit. Nga ajo çfarë raportohej në media, Reshani kishte hyrë brenda lokalit me armë automatike dhe kishte shtënë disa herë.

Ai është emër i njohur për drejtësinë, i cili ka të kaluar kriminale. 

Gazeta Insajderi ka siguruar fotografitë të cilat gruaja e xhudistit i ka deponuar në gjykatë, ku shihen shenja dhune ndaj saj.

Insajderi ka tentuar disa herë të kontaktojë me xhudistin Gjakova gjatë ditës për të marrë një version lidhur me rastin, mirëpo deri në momentin e publikimit të këtij artikulli s’ka marrë ndonjë përgjigje.