ATK kërkon nga bizneset ta dokumentojnë origjinën e mallit

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), ua ka rikujtuar të gjithë tatimpaguesve se në bazë të Ligjit Nr. 03/L-222 për Administratën Tatimore dhe Procedurat, kërkohet nga të gjitha bizneset dokumentimi i origjinës së mallit.

Nga ATK thonë se aktivitetet e tyre, në vazhdimësi do të përqendrohen pikërisht te tatimpaguesit, të cilët posedojnë mallra pa origjinë.

Sipas tyre, secili tatimpagues duhet të ofrojë dokumentacionin mbështetës, i cili arsyeton prejardhjen e mallit si në vendndodhjen, apo vendndodhjet e tatimpaguesit, ashtu edhe për mallrat në qarkullim jashtë vendndodhjes së tatimpaguesit.

Po ashtu, në komunikatën për media nga ATK-, theksohet se secili tatimpagues duhet t;i dokumentojë të gjitha mallrat nga koha e pranimit (qoftë përmes importimit, blerjes, shkëmbimit apo mënyrave tjera) deri sa ato të jenë shitur apo ndryshe të jenë sistemuar, përfshirë dokumentacionin e shitjes apo sistemim tjetër.

“ATK inkurajon të gjithë tatimpaguesit që t’i përgjigjen në mënyrë të saktë detyrimeve tatimore, në të kundërtën ATK, do të detyrohet që të ndërmarrë masat ndëshkuese sipas legjislacionit tatimor”, thuhet tutje në njoftim.

ATK rikujton se me kryerjen e detyrimeve tatimore, tatimpaguesit kontribuojnë direkt në financimin e programeve qeveritare siç janë: ofrimi i shërbimeve publike, arsimim me standarde të larta, mirëqenies shëndetësore dhe sociale, mbrojtje ligjore dhe siguri, si dhe infrastrukturë të përgjithshme për një mirëqenie më të mirë ekonomike dhe shoqërore.