Atentati në Elbasan/ Ja kush është viktima e dytë, para disa vitesh u përfshi në përleshje me armë në Tetovë

Lulzim Bitri, 43-vjeçari është viktima e dytë e atentatit në Elbasan, ku u qëllua me armë edhe Ardian Çollaku, 50 vjeç.

Bitri rezulton se ka qenë i përfshirë në një përplasje me armë para tre vitesh në Tetovë të Maqedonisë, ku mbeti i vdekur Naip Rexhepi.

Ngjarja ka ndodhur në hyrje të qytetit të Elbasanit, pranë një karburanti në aksin Elbasan -Metalurgji. 50-vjeçari, baba i dy fëmijëve dhe Bitri janë ekzekutuar sapo ka ndaluar pranë një karburanti. Autorët e dyshuar janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes.

Disa minuta pas krimit, është gjetur një makinë e djegur pranë fshatit Balldren që dyshohet se i përket autorëve.

Emri i Ardian Çollakut  nuk është i panjohur për drejtësinë sepse rezulton si i përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike. Ai ka qenë i dënuar për trafik ndërkombëtare të lëndëve narkotike dhe është ekstraduar nga Italia.

Ndërkohë, nuk ka ende asnjë informacion për autorët, por policia thotë se është vënë në ndjekje të tyre.

Forca të shumta policia kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për zbardhjen e rrethanave të krimit.