Atentat në Lushnjë: U qëllua 21 herë me kallashnikov, plagosen 3 të tjerë

Lushnja është tronditur mbrëmjen e së hënës nga breshëritë e kallashnikovit.

Krismat e armës paralajmëruan një ngjarje të rëndë, një i vrarë dhe të paktën tre të plagosur, është bilanci i atentatit të bërë ndaj pronarit të “Bar Pedonales”, Bledar Muça i cili mbeti i vrarë. Dëshmitarët okularë treguan për policinë se të shtënat erdhën nga një person i cili po udhëtonte me një autoveturë volksvagen golf. Shënjestër e atentatit ishte pikërisht viktima, 40-vjeçari Bledar Muça. Ndërsa nga të shtënat e shumta me breshëri, mbetën të plagosur edhe tre persona të tjerë, që ndodheshin rastësisht në lokal.

Ngjarja shkaktoi frikë dhe panik, pasi ndodhi në një vend dhe në një orar kur zona ishte mjaft e populluar.

Pas krimit autorët janë larguar me automjetin tip voksvagen golf, i cili është gjetur disa minuta më pas i djegur në fshatin Thanasaj të Lushnjës, në vendin e quajtur si ura e Rrogozhinës.

Policia e mbërritur në vendngjarje mori dëshmitë e personave  si dhe ka sekuestruar disa pamje nga kamerat e shumta të sigurisë që kanë bizneset në zonën e krimit.

Ndërkohë, viktima Bledar Muça, është një emër i njohur për policinë dhe dyshohet se ky atentat i mirëmenduar mund të ketë lidhje me disa ngjarje të tjera kriminale të ndodhura në qytetet e tjera të vendit.