Atentat mafioz mbi kryeprokurorin bullgar, automjeti ia shpëton jetën

Prokurori i përgjithshëm i Bullgarisë, Ivan Geshev i ka shpëtuar një atentati që synonte eliminimin fizik të tij. Sulmi ishte organizuar me një sasi eksplozivi që shpërtheu gjatë kalimit të automjetit të zyrtarit të lartë.

Në orën 11 e 45, të gjitha institucionet bullgare ishin në këmbë për atë që ndodhi në aksin rrugor Samokov-Kovaçevtsi. Forcat policore janë të bindura, kjo nuk ishte një përpjekje për intimidim, por një tentativë vrasjeje ndaj prokurorit të përgjithshëm.

Ky i fundit ka gjasa të jetë gjurmuar dhe sipas kreut të Shërbimit Kombëtar Hetimor, atentati ishte organizuar në mënyrë profesionale.

“Bomba nuk ishte më pak se 3 kilogramë TNT, sipas opinionit paraprak të ekspertëve, por gjithashtu me copëza që shpërthyen dhe u përplasën me pemët në anën tjetër të rrugës. Saçmet e metalit që gjetëm kishin përmasat e thoit të një njeriu”, tha Borislav Sarafov, drejtor i Shërbimit Hetimor Kombëtar

“Detyra jonë është të mbrojmë jetën dhe shëndetin e qytetarëve bullgarë dhe do ta bëjmë këtë”, tha Petar Todorov, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme.

Ivan Geshev është mirë. Masa shtesë janë marrë për sigurinë e tij. Hetimi në terren vazhdon, me qentë e policisë që po kërkojnë gjurmë të atentatorëve.

Atentati është i ngjashëm me vrasjen e ish-prokurorit italian Giovani Falcone nga mafia italiane, ku u hodh në erë autostrada në të cilën ai kalonte.