Ish-bashkëpunëtori i afërt i presidentit historik Ibrahim Rugova, Astrit Haraqija, ka bërë një reagim të fuqishëm publik për figurën e njohur të jetës politike e shoqërore, Hektor Beqiri, duke e cilësuar atë si një njeri që e ka dëshmuar miqësinë pikërisht në momentet më të vështira.
Në një postim të tij, Haraqija ka vënë theksin te ndryshimi mes atyre që e kujtojnë miqësinë vetëm kur kanë nevojë për një votë, pozitë apo privilegj dhe atyre që qëndrojnë pranë miqve edhe kur një qëndrim i tillë mund të ketë kosto.
Sipas Haraqisë, Hektor Beqiri nuk është tërhequr nga bindjet e tij dhe nuk ka pushuar së foluri për atë që beson se është e vërteta, përfshirë bindjen e tij për pafajësinë e miqve të tij, Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.
“Nga aksioni ‘Liria ka emër’ e deri në këto orë, kur pritet vendimi përfundimtar, ai ka qëndruar aty. Pa u lodhur, pa u tërhequr dhe pa bërë pazare me bindjet e veta”, shkruan Haraqija.
Ai e paraqet këtë qëndrim si një dëshmi të karakterit dhe të besnikërisë personale të Beqirit, duke theksuar se ai nuk është duke kërkuar përfitime politike apo privilegje nga qëndrimi i tij.
“Hektori nuk po vrapon pas ndonjë pozite, nuk po kërkon ndonjë privilegj dhe nuk ka nevojë të blejë askënd me servilizëm”, shprehet Haraqija.
Në vazhdim, ish-bashkëpunëtori i afërt i Ibrahim Rugovës i referohet edhe prejardhjes familjare të Beqirit, duke theksuar se ai ka një emër, familje dhe traditë që, sipas tij, e kanë formësuar karakterin e tij.
Haraqija e sheh pikërisht këtu dallimin mes një miqësie të ndërtuar mbi interesa dhe një miqësie të dëshmuar në kohë të vështira.
“Për disa mund të jetë e vështirë ta kuptojnë një njeri që qëndron pranë miqve të tij pa kërkuar asgjë në këmbim. Sepse janë mësuar që çdo qëndrim të ketë një çmim”, shkruan ai.
Në fund të reagimit, Haraqija përcjell një mesazh të qartë për vlerën e besnikërisë dhe qëndrueshmërisë njerëzore:
“Pozitat kalojnë, privilegjet mbarojnë, por besnikëria mbetet.”
Ai e përmbyll postimin me një vlerësim të drejtpërdrejtë për Beqirin:
“Respekt për një njeri që, në ditët e vështira, nuk e ndërroi anën e as nuk e ndërroi fytyrën.”
Reagimi i Astrit Haraqisë vjen në një moment të ndjeshëm, kur vëmendja është e përqendruar te zhvillimet dhe vendimi përfundimtar lidhur me procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Në këtë kontekst, mesazhi i tij për Hektor Beqirin merr edhe një dimension më të gjerë: atë të qëndrimit pranë miqve dhe bindjeve në kohën kur është më e lehtë të heshtësh sesa të flasësh.







