Nënsekretari amerikan për çështje politike në Departamentin e Shtetit, David Hale është i fundit në mesin e të dërguarve amerikan në “shatl-diplomacinë” (vajtje-ardhje) ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kështu vlerëson agjencia e njohur e lajmeve, Associated Press.

AP raporton se Hale sot në rezidencën e ambasadorit amerikan në Prishtinë është takuar me presidentin, kryeministrin dhe kryeparlamentarin e Kosovës, kurse një ditë më herët ka qenë në Beograd, transmeton Ballkani.info.

Zyrtari i lartë amerikanë, siç raportohet, është takuar me liderët kosovarë në tentim që ta bind qeverinë në Prishtinë që ta tërheqë apo suspendojë taksën ndaj mallrave serbe në mënyrë që dialogu me Serbinë të vazhdojë.

Agjencia thekson se Hale në intervistë për tri media lokale në Kosovë i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të bëjnë hapa përpara në dialog dhe të arrijnë marrëveshje të pranuar për të dyja palet.

Ka thënë se Uashingtoni nuk ka qëndrim konkret, apo ka shtuar se SHBA-të dhe fuqitë perëndimore do të mbështesin cilendo marrëveshje ndërmjet dy shteteve.

Agjencia transmeton se kryeministri kosovar, Ramush Haradinaj është kundër suspendimit të taksës dhe thotë se kjo do të ndodh vetëm nëse Serbia e njeh pavarësinë e Kosovës dhe ndalon bllokadën për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Haradinaj pas takimit me Hale është deklaruar në Facebook duke i bërë thirrje Serbisë që t’i kthehet dialogut dhe të bisedojnë për të gjitha çështjet e hapura, duke përfshirë edhe tregtinë e lirë në mënyrë që të arrihet marrëveshje e cila çon në njohjen e Kosovës në kufijtë ekzistues. /Ballkani.info/