“Asociacionin e gjeta në mesin tuaj” – “E gjete tek Isa Mustafa”, përplasje mes Hotit e PDK-së

Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti ka folur sërish në Kuvendin e Kosovës ku po mbahet debat për marrëveshjen e 4 shtatorit në SHBA, si dhe takimet tjera me palën serbe.

Hoti para deputetëve ka thënë se marrëveshja në fjalë, Kosova ia sjellë një milliard dollarë, njohjen nga Izraeli e partneritet të fuqishëm me SHBA-të.

Sipas tij, Kosova nuk humb asgjë.

“Kosovës i sjellë 1 miliard dollarë. I sjell njohje nga Izraeli. I sjell partneritetin ma të fuqishëm në 10 vitet e fundit me SHBA-të. E po ashtu edhe përfshirjen e plotë. Kosova nuk humb asgjë. Marrëveshja s’është përfekte, sepse perfekte nuk do të ishte sikur të përmbyllej me njohje reciproke. Nuk e kemi pranu minishengenin e Novi Sadit, e kemi kundërshtu. E kemi pranu minishengenin e Uashingtonit. Për Liqenin e Ujmanit, kush ka problem që departamenti i SHBA-ve të bëj një studim fizibiliteti se si të përdoret liqeni i Ujmanit”, tha Hoti.

Tutje, kryeministri tha se opozita është dashur të marrë pjesë në takimin e Uashingtonit, për të parë nëse qeveria i ka ditur gjërat që do të diskutohen.

“Ju nuk jeni të interesuar që të bëni debate me argumente, u kam dërguar disa letra për të ardhur në tavolinë.  A ka qenë e vetëdishme qeveria për këtë marrëveshje apo jo, e kishit marr vesh sikur t’i përgjigjeshit ftesës sonë”, ka thënë ai.

Hoti i është përgjigjur edhe presidentit Thaçi, i cili tha se dita e sotme e takimit të nivelit të ekspertëve në Bruksel, është e rrezikshme.

“Kur kemi shku në Uashington e kemi ditë që nuk po shkojmë atje për përmbylljen e njohjes reciproke. Asociacionin e kemi gjetë në mesin tuaj, Asociacionin s’jam duke e negociuar. Temën e Asociacionit kjo qeveri nuk e ka hapur as nuk do ta hapë në proces të dialogut. Kjo ditë është cilësu e rrezikshme, kjo është një ditë normale me diell ku po dialogojmë”, tha ai.

E ndaj këtij deklarimi, reagoi deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, i cili Hotit iu kundërpërgjigj duke i thënë se Asociacionin ai e ka gjetur në mesin e LDK-së, pasi që ai është nënshkruar nga Isa Mustafa.

“Asociacionin e ke gjet në mesin e LDK-së, se Isa Mustafa e ka nënshkru. Jo në mesin tonë, jo në mesin e kolegëve”, tha Hoxhaj.

Tutje, ai u shpreh skeptik edhe për njohjen  nga Izraeli, për të cilën thotë se është vullnet politik, dhe jo dokument formal.

“Edhe në letrën e Netanyahut e ka shkruar “të dashur miq”, jo “i dashur Avdullah”, prandaj ajo çka them unë është dërgone ambasadorin në Izrael, ndaj në Tel Aviv, ndaj në Jeruzalem”, tha ai.