Asnjë kosovar në mesin e viktimave të tërmetit në Turqi

Një tërmet i fuqishëm prej 7.0 magnitudë ka goditur të premten brigjet turke, rreth 17 kilometra në brigjet e pjesës perëndimore të Izmirit, i cili u ndje edhe në në Stamboll dhe Athinë.

Ministri i Shëndetësisë i Turqisë Fahrettin Koca ka njoftuar se deri më tani janë katër viktima nga kjo tragjedi, ndërsa në total janë prekur 120 shtetas turq.

Ambasadori i Kosovës në Turqi, Ilir Dugolli, ka konfirmuar për klankosova.tv se deri më tani në mesin e viktimave nuk ka kosovarë.

“Nga komunikimet e gjertanishme fillestare me bashkëkombas tanë në Izmir nuk ka të dhëna për viktima nga radhët e tyre”, tha shkurt ai.

President i Turqisë, Rexhep Erdogan, ka thënë se janë duke bërë të pamundurën për të shpëtuar qytetarët e asaj zone.

“Me të gjitha mjetet e shtetit tonë, ne qëndrojmë pranë qytetarëve tanë të prekur nga tërmeti. Ne morëm masa për të filluar punën e nevojshme në rajon me të gjitha institucionet dhe ministrat tanë përkatës”, ka shkruar Erdogan në Twitter.

Të paktën 20 ndërtesa janë dëmtuar në qytetin turk të Izmirit pas tërmetit të fuqishëm që ndodhi atje.

Disa nga pamjet shkatërruese të xhiruara nga qytetarët kanë filluar të shpërndahen në rrjetet sociale.