Veri

Asnjë fakt nuk po e bind Bashkimin Evropian për sanksione ndaj Serbisë

Bashkimi Evropian nuk po bindet t’i vendosë sanksione Serbisë as pas publikimit të pamjeve që dëshmojnë se terroristët janë trajnuar në bazën ushtarake të Serbisë në Pasuljanske Livade.

Që Serbia ka gisht në sulmin terrorist në Basnkjë mund të kenë dyshime, por të paktën Bashkimi Evropian po thotë se hetimi është në duart e Policisë së Kosovës të cilët po bashkëpunojnë me EULEX-in.

Zëdhënësi, Peter Stano, pret bashkëpunim të plotë nga Serbia, ndërsa tek pas përfundimit të hetimeve, do të vendosin nëse do ta sanksionojnë shtetin i cili qëndron para sulmit terrorist.

“Ne duhet ta shohim pikturën e plotë të hetimeve. Nuk do të komentojmë qëndrimet personale, pasi Bashkimi Evropian do të përgjigjet unanimisht nga vendimi i të gjitha vendeve që përbëjnë unionin. Dialogu ka qenë aty për vjet, dhe prioriteti i BE-së është rikthimi në këtë proces. Po të kishte normalizim të marrëdhënieve nuk do të ndodhin këto që ndodhen”, ka thënë Peter Stano, zëdhënës i BE-së.

Analistët politik në Kosovës vlerësojnë se në fazën aktuale nuk janë të rëndësishme afatet kohore, por të mësohet se me çka do të ndëshkohet Serbia.

“Sanskionet ndaj Serbisë, eventual, nënkupton ose do të nënkuptonin për mendimin tim që edhe Serbia të jetë shumë më serioze dhe më e ngazhuar për me e zbatu pjesën e vet të marrëveshjes, kjo nuk nënkupton se Kosovës do t’i hiqen obligimet”, ka deklaruar analisti Visar Ymeri.

Ymeri thotë se përkundër atmosferës positive që është krijuar në procesin e dialogut nuk pret se do të do të ketë shumë lëvizje.

“Interesimi për me e dëgju argumentimin e Kosovës ka rënë shumë poshtë për shkak të sjelljes së Kosovës, edhe tash do të kisha dëshiru që ky interesim me u ri-zgju. Pra me e dëgju edhe Kosovës se pse po kërkon zbatim paralel të marrëveshjes, dhe a është kjo diçka që mund të bëhet, besoj se mund të bëhet”, është shprehur më tej Ymeri.

E ky hezitim i BE-së për të sanksionuar Serbinë cilësohet si i papranueshëm.

“Ata të mos ushtrojnë presion të njëanshëm ndaj një pale, pra të jetë i balancuar. E dyta duhet që palët të trajtohen në mënyrë korrekte dhe të pa-anshme dhe e treta këto nuk kanë të drejtë të vendosin masa ose sanksione ndaj palëve”, ka thënë analisti Tomor Avija.

Përkundër që vetë ndërkombëtarët i kishin përkrahur zgjedhjet në veri, qasja e Kosovës dhe prezenca e kryetarëve shqiptarë nëpër komuna, i ka kushtuar Kosovës më sanksione.

Bashkimi Evropian ka vendosur masa ekonomike pas tensioneve në veri gjatë majit dhe qershor.