ASK

ASK tash i ka tabletat për të cilat u shty regjistrimi i popullsisë, Kurti u shkon për vizitë

Zyra e Kryeministrit të Kosovës (ZKM) njofton se Agjencia e Statistikave të Kosovës e ka gati numrin e regjistruesve dhe monitoruesve bashkë me tabletët dhe pajisjet e nevojshme për regjistrim, për çka regjistrimi u shtye deri në prill të vitit të ardhshëm.

ZKM njofton se kryeministri Albin Kurti, vizitoi sot zyrat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës për t’u njoftuar me punën e Agjencisë në planifikimin dhe realizimin e procesit të regjistrimit të popullsisë, që do të fillojë në muaji prill 2024.

“Kurti, u shoqërua nga Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, Kryeministri pa për së afërmi proceset teknike të përfunduara nga ASK, e që luajnë rol kyç në organizimin e procesit dhe mbarëvajtje e tij.

Numri i regjistruesve dhe monitoruesve bashkë me tabletët dhe pajisjet e nevojshme për regjistrim tashmë janë është gati. Kryeministri tha se nuk ka proces më të rëndësishëm për planifikim sesa regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave dhe ofroi mbështetje të plotë për ASK-në ashtu që censusi të zhvillohet me përpikëri të nevojshme e sipas standardeve të EUROSTAT-it”, njofton ZKM.

Ushtruesi i detyrës së ASK-së, Avni Kastrati, bashkë me ekipin e drejtorëve të ASK-së, njoftoi Kryeministrin për hapat e radhës në kuadër të procesit të regjistrimit të popullsisë, përfshirë organizimin e regjistrimit të diasporës përmes platformës e-Kosova.

“Kryeministri falënderoi ASK-në për punën, përkushtimin dhe angazhimin e tyre. Qëndrojmë së bashku në realizimin e këtij projekti të madh, regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave”, thuhet në njoftim.