ASK: Bie numri i fluturimeve krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Statistikat e Transportit dhe Telekomunikimit” për tremujorin e parë të vitit 2021, me të dhëna mbi Transportin Ajror, Hekurudhor, Rrugor dhe Telekomunikimin.

Në territorin e Kosovës janë gjithsej 333 kilometra me binarë hekurudhorë për transport.

Në tremujorin e parë të vitit 2021, numri i pasagjerëve që kanë shfrytëzuar trenin si mjet udhëtimi ishte rreth 16 mijë, ku krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2020, numri i pasagjerëve është zvogëluar për -21.34%.

Në njoftimin e ASK-së thuhet se transporti i mallrave me tren në tre muajt e parë të vitit 2021 ishte rreth 187 mijë ton, ku krahasuar me atë të vitit 2020 është një rritje për 85%.

Ndërkaq, sa i përket numrit të fluturimeve, në tremujorin e parë të vitit 2021 ishin 1,317 fluturime, ku në raport me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar ka një ulje për -14.14%.

Numri i udhëtarëve që kanë shfrytëzuar aeroplanin si mjet transporti ishte rreth 330 mijë, ku në raport me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar ka një ulje për -23.44%.