Hodeidah

Ashpërsohen luftimet në portin kryesor të Jemenit

Në vend se të shkaktonin qetësi në qytet, thirrjet për armëpushim në Hodeidah sollën dhunë edhe më të ashpër në portin kryesor të vendit, prej fillimit të luftës para tri vitesh.

Një nga banorët e qytetit, Baseem al-Janani, deklaroi: “Përleshjet janë krejtësisht të çmendura në kohën e fundit. Po përjetoj kokëdhimbje nga bombardimet që po bëhen në pjesën lindore. Njerëzit janë mbyllur nëpër shtëpitë e tyre për orë të tëra për shkak të të shtënave, por as aty nuk janë të sigurtë”.

Në ditët e fundit, më tepër se njëqind sulme ajrore i kanë goditur lagjet civile, që paraqet pesëfishin e sulmeve të kryera në javën e parë të tetorit, bazuar në të dhënat e organizatës “Save the Children”.

Madje, njëra nga klinikat e tyre u sulmua të mërkurën. Forcat e armatosura proqeveritare po përpiqen që të fitojnë sa më shumë territore para se luftimet të përfundojnë në fund të nëntorit, kur pritet të fillojnë bisedimet për paqe në Suedi, të mbështetura nga Kombet e Bashkuara.

Koalicioni i trupave të Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe po i afrohen qytetit të kontrolluar nga rebelët, Houthi. Në anën tjetër, porti i Hodeidahs paraqet zonën kryesore të vendit, pasiqë nëpër të kalon pjesa më e madhe e ushqimit të importuar, në një shtet ku 90% e ushqimeve importohen. Porti është bllokuar nga koalicioni saudit, me ç’rast është rrezikuar furnizimi me ushqim dhe gjëra tjera të nevojshme për popullsinë 28 milionëshe të Jemenit, shkruan “The Guardian”.