ASHNA reagon për përfshirjen e saj në Ligjin për Pagat

Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA) vlerëson se përfshirja e saj në Ligjin për Pagat në sektorin publik i cili u miratua sot nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, është në kundërshtim me praktikat e Komisionit Evropian për pavarësinë e Agjencive që menaxhojnë trafikun ajror, kur dihet mirëfilli së të hyrat e tyre gjenerohen nga shërbimet e navigimit ajror që u ofrohen aviokompanive ajrore, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Po ashtu, përfshirja në Ligjin e Pagave, ASHNA thotë se bie ndesh edhe me Nenin 5.5 të Ligjit Nr. 04/L-250 për Agjencinë e Shërbimeve të Navigacionit Ajror, ku theksohet se, “ASHNA ka kapacitet të plotë juridik dhe vepron si një̈ ofrues i shërbimeve jofitimprurëse, i cili mbulon shpenzimet dhe bazohet në performancë”.

ASHNA më tutje shton se nuk ka qenë e njoftuar se është përfshirë në këtë ligj, pasi që deri në dorëzimin në Kuvendin e Kosovës nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, ka qenë e përjashtuar nga ky ligj, mirëpo është përfshirë në ligj nga ana e Komisionit Parlamentar për Administratë Publike.

Andaj, menaxhmenti i ASHNA-së, duke shprehur shqetësimin e tij, shpreson se përfshirja e ASHNA-së në këtë ligj nuk do të ndikojë në mbarëvajtjen e rregullt të punës në ASHNA.