Asamblist i PDK-së në Vushtrri kërkon që Fitër Bajrami të falet në shesh

Asamblisti i PDK-së në Komunën e Vushtrrisë, Lorik Maxhuni ka kërkuar që të mundësohet falja e Fitër Bajramit në ambient të hapur, në këtë rast në sheshin e këtij qyteti.

Ai ka thënë se për këtë ka bërë edhe një kërkesë, të cilën e ka dorëzuar në komunë dhe Bashkësinë Islame të Vushtrrisë.

Maxhuni ka thënë se për këtë është pajtuar edhe kreu i Bashkësisë Islame në Vushtri, Shemsi Rrahimi, shkruan Reporteri.

Njoftimi i plotë:

Në Komunën e Vushtrrisë dhe Bashkësinë Islame në Vushtrri sot parashtrova një kërkesë me të cilën i kërkova kryetarit të Komunës që të mundësohet falja e Fitër Bajramit në ambient të hapur më saktësisht në sheshin e qytetit në Vushtrri ku besimtarët do të duhet të përdorin dorëzat dhe maskat duke u bazuar edhe në rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe IKSHPK-së për distancim social, si masë mbrojtëse kundër infektimit.

Unë i’u drejtova Komunës duke marrë përsipër shenjëzimin e distancimit social në shesh vullnetarisht bashkë me Rininë Demokratike të Vushtrrisë.

Andaj, bashkë me Shpetimin vizituam edhe kryetarin e Bashkësisë Islame në Vushtrri hoxhën Shemsi Rrahimin me të cilin diskutuam rreth kësaj ideje, ku dhe morrëm mbështetjen e plotë të tij dhe institucionit që ai drejton.

Për cka e falenderuam duke shpresuar që po të njejtën mbështetje do t’a gjejmë edhe në Komunë.