Asambleisti i VV-së i akuzuar për shpifje, Egzon Azemi, fyen prishtinasit pasi nuk fituan pa balotazh

Asambleisti aktual i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Egzon Azemi, përmes një statusi në Facebook dhe duke e parë që Prishtina po shkon në balotazh, e ka postuar një status fyes dhe denigrues.

“Votoni që mos me u kthy në Prishtinë Samitovit, Mustafovitë. Votoni që mos me pas balotazh e AAK me marrë drejtorinë e Urbanizmit. Votoni kundër pazareve. PABALOTAZH!”, ka shkruar ai.

Nuk është vetëm ky postim, Azemi ka pasur edhe postime tjera fyese.

Egzon Azemi është personi për të cilin është paralajmëruar padi për shpifje nga Ndërmarrja Publike Banesore.

Ndërmarrja Publike Banesore SH.A. Prishtinë kishte paralajmëruar se do t’i përgjigjet me padi për shpifje ndaj deklartave të asamblistit të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Egzon Azemit.

Reagimi i NPB-së, kishte ardhur pas konferencës për medie, ku Azemi kishte akuzuar Komunën e Prishtinës për manipulime rreth një projekti me vlerë 200 milionë euro.

“Asambleisti i Kuvendit Komunal të Prishtinës, Egzon Azemi, përmes dy konferencave për shtyp ka dëmtuar reputacionin e Ndërmarrjes Publike Banesore. Përderisa jemi në gjendje të sqarojmë gjithçka mbi punët e NPB-së, nuk duam që Ndërmarrja të bëhet terren lufte i partive politike dhe interesave elektorale.Tendencës së këtij asambleisti për të kriminalizuar të arriturat më të mëdha të ndonjë ndërmarrje lokale në Kosovë, do t’i përgjigjemi deri në secilin detaj me padi dhe kallëzim penal sepse secili pretendim, madje secila fjalë që ka thënë është shpifje”, thuhet në reagimin e NPB-së.

Tutje, ata thoshin se “Shpifja e parë lidhet me vlerën e projektit. Bëhet fjalë për 50% të vlerës së projektit që përfiton Ndërmarrja. Asambleisti në fjalë, për të tingëlluar i saktë e shpiku nga hiqi një vlerë 30% që gjoja e paska përmendur dikush nga aksionarët”.