“Asadi dhe Putini më morën vajzën më të bukur”

Nga Mohammad Rabie dhe Julian Roepcke, BILD

Fytyra e saj e pafajshme është e mbuluar me pluhur dhe gjak. Eslam, 6 vjeç, u vra në shtëpinë e saj të premten nga bombat e Asadit dhe Putinit.

Kanë kaluar më pak se dy javë, që kur Rusia shpalli armëpushim për Idlibin në Siri, por ky armëpushim po prishet vazhdimisht nga forcat e Asadit dhe Putinit! Të premten, rreth orës 17:30 me orën lokale, trupat siriane dhe ruse qëlluan pesë predha artilerie mbi qytetin Maarat al-Numan, në rajonin e Idlibit. Një nga predhat goditi shtëpinë e vajzës gjashtëvjeçare, Eslam S. Ajo u vra, nëna e saj dhe shtatë anëtarë të familjes pësuan lëndime të rënda. Një nga fëmijët e plagosur është vetëm tre muajsh.

Gazeta Bild foli me Mohamed Sadir, 57 vjeç, babain e vajzës së vrarë. Për gazetën, ai tha: “Asadi dhe Putini në morën vajzën time më të bukur- ajo nuk është terroriste. Ajo ishte vetëm një fëmijë i vogël”.

Një ditë e tmerrshme për familjen e Mohamed, që u mblodh për të ngrënë të premten e shkuar. Më pas disa prej fëmijëve dolën për të luajtur në rrugë, të tjerët u ulën së bashku kur krejt papritur një bombë e ktheu shtëpinë e tyre në pluhur dhe hi. Babai, me një zë të rraskapitur, thotë për BILD: “Vajza ime donte të dilte jashtë për të luajtur me motrën e saj binjake, Rahaf. Por nuk e pashë më”.

Tani familja nuk ka më shtëpi. Babai thotë i dëshpëruar: “Kjo ishte shtëpia ime e tretë dhe e fundit. Tani të gjitha u shkatërruan nga bombat e regjimit dhe Rusisë. Nuk jemi askund të sigurt nga bombat e Asadit dhe Putinit. Mbrëmë, bomba ra në shtëpinë e fqinjve tanë”.

57-vjeçari nuk e kupton se përse sulmohet familja e tij. “Të vrasësh fëmijët nuk është luftë kundër terrorit. Ajo që Asadi dhe Putin po bëjnë këtu, janë krime të synuara kundër civilëve”.

Kur BILD telefonoi babain, ai na tregoi duke qarë për vajzën e tij tjetër, gjashtëvjeçaren Rahaf. Ajo i ishte lutur vazhdimisht gjatë fundjavës babait që t’ia kthente motrën binjake, Eslam. “Nuk dua të luaj dhe nuk dua të fle. Dua të shoh Eslamin,” tha ajo.

Në fund të bisedës, Sagir i drejtohet me një mesazh popullit rus përmes gazetës BILD: “Nuk u kemi bërë asgjë, ju lutem demonstroni kundër regjimit të Putinit. Putini dhe Asadi po shfarosin këtu në Idlib gratë, fëmijët dhe bebet e vogla. Ju lutemi, bëni diçka”.

Kurse për politikanët perëndimorë ai ankohet: “Pse po bëni sehir prej vitesh? Pse nuk po bëni asgjë për krimet e Asadit dhe Putinit? Fëmijët e mi dhe unë nuk jemi terroristë”.

loading…