“As takim as telefonatë” | Shtëpia e Bardhë: Nuk do ketë bisedime midis presidentit Biden dhe Putinit

Shtëpia e Bardhë e ka bërë të qartë ditën e sotme se presidenti amerikan, Joe Biden nuk ka ndërmend të ulet në bisedime me homologun e tij rus, Vladimir Putin.

Në një komunikim me CNN, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha se nuk ka plane për një takim apo telefonatë mes presidentit Biden dhe Putin, duke thënë: “Tani nuk është momenti”.

“Ne nuk po planifikojmë një takim mes tyre, apo një telefonatë. Presidenti ka qenë shumë, shumë i qartë për këtë. Por ne do t’i kemi ato diskutime brenda dhe do të peshojmë gamën e faktorëve,” tha Psak.

E pyetur nëse ka ndonjë situatë në të cilën Biden do të ulej me Putinin nëse trupat ruse mbeten në Ukrainë, Psak tha: “Unë nuk mund të bëj një vlerësim për këtë … Tani për tani, ata po pushtojnë një vend sovran dhe situata po përshkallëzohet çdo ditë. Ne kurrë nuk do ta heqim diplomacinë nga tavolina, por përsëri, tani nuk është momenti për këtë.”

Psak tha gjithashtu se administrata nuk ka “asnjë vlerësim” nëse po i afrohet ndalimit të importeve ruse në SHBA.