As Rifat Latifi s’po bashkëpunon me kryetarët e komunave, s’ftohen për diskutime për masat anti-Covid

Të enjten pritet të mblidhet Komiteti për Vlerësim dhe Koordinim lidhur me masat anti-Covid, pas rritjes së rasteve. Por edhe pas ardhjes së ministrit të ri të Shëndetësisë, Rifat Latifit, kryetarët e komunave nuk po ftohen për t’i diskutuar këto masa.

Kjo është konfirmuar për Demokracia.com nga kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, i cili ka thënë se niveli qendror po i injoron vazhdimisht kryetarët.

“Ka një kohë që niveli qendror po na injoron, sapo ka ardhur ministri i ri sidomos. Asociacionin e përjashtuan nga komiteti, por pas reagimit jemi rikthyer pasi ministri i atëhershëm, Arben Vitia, kishte thënë se është bërë gabim teknik. Me ardhjen e ministrit të ri nuk jemi thirrur si AKK, niveli qendror po mendon se mund t’i kryejë punët pa AKK-në”, ka thënë Ibrahimi për Demokracia.com.

Ai tutje ka shtuar se kryetarët e komunave janë kundër orës policore, pasi që nuk ka dhënë efekt, derisa ka apeluar që të mobilizohen sa më shumë ekipet për vaksinim.

Ndërkaq, zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, të mërkurën ka konfirmuar se takimi i komitetit pritet të mbahet nesër, pas rritjes së rasteve me Covid-19.

“Me gjasë takimi i Komitetit për Vlerësim dhe Koordinim do të mbahet ditën e nesërme në ndërtesën e qeverisë. Ky është një mekanizëm që përfaqëson institucione të ndryshme të qeverisë’, tha ai në Rtv Dukagjini.

Të mërkurën në vendin tonë janë konfirmuar mbi dy mijë raste pozitive me Covid-19. Në total numri i rasteve aktive është 7 mijë e 266.

Deri më tani nuk ka të dhëna sa prej rasteve të reja janë me Omicron, por nga MSH-ja kanë thënë se është bërë variant dominues në qarkullim.