Të thënat dhe të pathënat e shkarkimit të bordit të Stacionit të Autobusëve, cila është e vërteta?
Komisioni i Aksionarëve të Ndërmarrjes Publike “Stacioni i Autobusëve”, shkarkoi dje bordin e kësaj ndërmarrjeje. Arsyetimi që u dha nga Komuna e Prishtinës ka të bëjë me vazhdimin e reformave aty, mirëpo, arsyet thonë se qëndrojnë diku tjetër.

Komuna e Prishtinës, përmes një komunikate për media gjatë ditës së djeshme, njoftoi për shkarkimin e komplet bordit të kësaj ndërmarrjeje, shkruan lajmi.net.

Komisioni i Aksionarëve emëroi katër anëtarët e rinj; Faton Raçin, Anita Morina Saraqin, Afërdita Syla Ismailin dhe Fatmir Morinën, e detaje shtesë për këtë veprim nuk u dhanë.

Drejtori ekzekutiv nuk di gjë për arsyet e shkarkimit

Drejtori ekzekutiv i Stacionit të Autobusëve, Emin Sylejmani, nuk është në dijeni për arsyet e shkarkimit.

Në një prononcim për lajmi.net, Sylejmani mohon të ketë pasur konflikt brenda bordit, teksa shton se të njëjtit kanë punuar deri në ditën e fundit.

“Nuk jam në dijeni për këtë çështje. Unë para vetes e kam vendimin nga organet komunale, pra vendimin për shkarkimin e bordit të vjetër dhe emërimin e bordit të ri. Unë nuk kam kurrfarë informate për këtë veprim, nuk jam në dijeni nëse bordi ka pasur ndonjë konflikt mes vete, përkundrazi bordi i drejtorëve ka punuar deri në ditën e fundit”, thotë Sylejmani.

Megjithatë, ai shton se është e drejtë e aksionarit të ndërmarrë veprime të tilla.

“Është e drejtë e aksionarit të marrë vendime të tilla, sepse Stacioni i Autobusëve është qind për qind në pronësi të komunës. Tani ne presim punë dhe bashkëpunim të mëtutjeshëm”, përfundoi ai.

Arsyet e pretenduara të shkarkimit

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Stacionit të Autobusëve, Sami Ahmeti, pretendon se arsyet e shkarkimit janë keqpërdorimet e bëra në këtë ndërmarrje.

Madje thotë se për veprimet e tyre, anëtarët e bordit e kanë vendin në burg.

“Bordi është dashur të shkojë në burg e jo të shkarkohet. Pikërisht për keqpërdorime të detyrës zyrtare e keqpërdorime të mjeteve financiare, thirrje në punëtorë që nuk guxon me u marrë bordi me punëtorë. Ka rast, për shembull, rasti i Gani Sopit që aty është që dy mandate, ka marrë pagë deri në 2 mijë e 800 euro. Ndërkaq me vendim të komisionit të aksionarëve kryesuesi e ka pak mbi 250 euro”, ka thënë ai.

Ahmeti thotë se sindikata ka dërguar mbi 15 ankesa në komunë për çështjen në fjalë, teksa shton se ndaj të njëjtëve duhet ngritur edhe padi penale.

Akuza të ashpra edhe ndaj anëtarit të Bordit, Gani Sopit

“Këta kanë bërë shkelje dhe me vonesë janë shkarkuar. Komuna i ka shkarkuar, i kemi dërguar deri në 15 ankesa në komunë. Ndaj tyre duhet të ngritët padi penale. Kanë marrë njerëz që kanë punësu në stacion të autobusëve. Gani Sopi sistemon në vende të punës kontroll mbi kontroll. Ai është me shkollë të mesme ndërkaq që drejton njerëz me magjistër”, ka thënë ai”, thotë ai për lajmi.net.

Mohime se ka pasur keqpërdorime

E pretendimeve të kryetarit të Sindikatës i është përgjigjur, Sherif Sejdiu.

Madje ai i quan shpifje deklaratat e Ahmetit.

“Ai është i suspenduar dhe nuk e di se çka thotë ai. Nuk merrem me fjalë dhe me shpifje”, ka thënë Sejdiu për lajmi.net.

Sejdiu thotë, se nuk është në dijeni as për arsyet e vërteta të shkarkimit, teksa shpjegon se informacioni i vetëm që ka është se vendimi ka shkuar gjatë ditës së sotme në ndërmarrje.

Lajmi.net ka kontaktuar edhe me vetë anëtarin e bordit, Gani Sopin, për të marrë edhe versionin e tij në lidhje me pretendimet e Ahmetit, mirëpo nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Po ashtu, lajmi.net ka kërkuar përgjigje më të gjerë edhe nga komuna e Prishtinës, mirëpo të njëjtit nuk janë deklaruar.