Arsenal ka triumfuar bindshëm në rikthimin në Ligën e Kampionëve ndaj PSV-së, derisa Inter ka ndarë pikët me Real Sociedadin.
“Topçinjtë” ishin të jashtëzakonshëm gjatë tërë kohës duke fituar në fund me rezultat 4:0.
Bukayo Saka hapi serinë e golave pas tetë minutave lojë pas një asistimi fantastik të Martin Odegaardit.
Leandro Trossard pastaj dyfishoi epërsinë me një goditje të bukur nga asistimi i Sakas (20’).
Arsenal vazhdoi fuqishëm duke shënuar edhe golin e tretë me anë të Gabriel Jesus, që e la të shtangur portierin mysafir me një goditje të fuqishme nga afërsia (38’).
Kurse për fitoren u përkujdes vetë kapiteni Odegaard, me një eurogol nga distanca (70’).
Arsenal tani është lider në grupin B me tre pikë derisa PSV renditet në fund pa pikë.
Në anën tjetër, Inter nuk ka arritur më shumë se një pikë në udhëtim te Real Sociedadi duke barazuar me rezultat 1:1.
Derbi doli të jetë shumë i barabartë nga minuta e parë, me dy skuadrat që kishin raste shënimi.
Sociedad përfitoi nga një gabim amator i Bastonit, me Mendez që rrëmbeu një top dhe e dërgoi brenda zonës pas katër minutave lojë.
Inter pastaj nisi të provojë deri në fund që të këndellet dhe arriti ta barazojë me anë të Marcus Thuram mirëpo që u anulua nga VAR-i për pozitë jashtë loje.
Mirëpo, “Neurazzurët” s’u dorëzuan duke barazuar tre minuta pa përfunduar koha e rregullt me Lautaro Martinez që u asistua nga Frattesi (87’).
Këhstu, dy skuadrat arkëtojnë nga një pikë në grupin D, ku lider është RB Salzburgu me tre sosh.







