“Arritje e madhe” apo “mundësi e humbur”| Si e ndau plani evropian sërish opozitën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq pas takimit të djeshëm në Bruksel, u pajtuan se nuk ka nevojë për diskutime të mëtejme rreth propozimit të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Pas këtij takimi, opozita në Kosovë ka dalë me qëndrimet e tyre. Ata u shprehën se në këtë takim Kosova humbi njohjen, por fitoi Asociacionin.

Kështu u shpreh kreu i PDK-së, Memli Krasniqi. Krasniqi konsideron se Kosova humbi njohjen dhe fitoi Asociacionin.

“Ajo që kishim paralajmëruar edhe ndodhi. Kushtet dhe qëndrimet u shkrinë para interesave personale dhe ambicieve për pushtet të Kryeministrit Kurti. Kosova humbi njohjen dhe fitoi asociacionin”.

Ai tha se tashmë është edhe zyrtarisht evidente se propozimi evropian nuk parasheh njohjen e ndërsjellë, si kriter kryesor për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe hapjen e perspektivës evropiane për shtetit tonë.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës theksuan se u vërtetuan shqetësimet e shprehura deri më tani nga ky subjekt.

“Nga deklarimi i kryeministrit mbi këtë marrëveshje tashmë të dakorduar, por ende të paprezantuar në Kuvendin e Kosovës, u vërtetuan brengat e LDK-së, të bëra tashmë publike”.

LDK thotë se kjo marrëveshje nuk është finale dhe nuk e përmban njohjen e ndërsjellë.

“Për më tepër ajo mban ambiguitet interpretues mbi statusin politik të dy shteteve”.

“Gjithçka përveç njohjes – ishte qëllimi i Serbisë. Gjithçka përveç njohjes ka kjo marrëveshje sot, tashmë e pranuar nga palët”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Por ndryshe nga PDK dhe LDK, mendon kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj. Haradinaj ka përshëndetur arritjen e dakordimit në Bruksel për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.

Ai thotë se kjo është një e arritur e madhe.

“Pajtimi për ta pranuar propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, është një e arritur e madhe”.

Haradinaj ka përmendur të mirat që i vijnë Kosovës pas kësaj marrëveshjeje.

“Marrëveshja është pranim faktik i pavarësisë së Kosovës, e cila i rikthehet normalitetit politik e të sigurisë, perspektivës integruese euro-atlantike e njohjeve te reja”.

I pari i AAK-së shpreson se do të gjenden zgjidhjet më të mira edhe për temat e mbetura të hapura në dialog.

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka thënë se kryeministri Albin Kurti është dorëzuar dhe e ka pranuar marrëveshjen.

“Albin Kurti u dorëzua. E pranoi marrëveshjen. Borell e konfirmoi këtë zyrtarisht e publikisht. Ambasadori i Kosovës lëshoi FAKE NEWS përmes mediumit ku ka punuar, në funksion të propagandës së pushtetit. E Kosova zyrtarisht mori obligim ligjor, sonte, me dakordimin e Albin Kurtit, që të pranojë një marrëveshje të dëmshme që Asociacionin e ka në qendër”, ka shkruar Molliqaj.

Bilall Sherifi nga Nisma Socialdemokrate ka thënë se premtimi i kryeministrit Kurti ka qenë që nuk do ta formojë “Zajednicën” dhe sipas tij qytetarët e Kosovës kanë besuar se ai do të bindë Serbinë që ta njohë Kosovën.

“Ai ka dhënë premtime të forta, premtimi i tij ka qenë që nuk do e formojë Zajednicën. Ai ka thënë se përkundrazi nuk merr parasysh themelimin e Asociacionit, kemi një kthim mbrapa në procesin e dialogut, ai duhet të dalë dhe të u drejtohet atyre që kanë vuajtur burg”, ka thënë Sherifi.

Sipas tij, Kurti në këtë proces duhet të ecë vetëm me një kusht që njohjen e Kosovës ta shkëmbejë me Asociacionin.

“Përkundër premtimit të madh se nuk do ta themelojë Asociacionin, ai duhet të ecë drejt themelimit vetëm me një kusht, njohjen e shtetit të Kosovës”, tha Sherifi.

Bashkimi Evropian e ka publikuar të plotë Propozimin Evropian për Normalizimin e Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Propozimi përmban gjithsej 11 nene. Ky propozim, mes tjerash, përfshin edhe njohjen reciproke të dokumenteve të të dyja vendeve dhe të simboleve kombëtare – mes tyre: pasaportat, diplomat, targat dhe vulat doganore.

“Në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, palët do të zgjidhin çdo mosmarrëveshje mes tyre ekskluzivisht me mjete paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës”, thuhet në propozim-marrëveshje.

Dokumenti nuk e parasheh njohjen e ndërsjellë Kosovë-Serbi, por thotë se Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në ndonjë organizatë ndërkombëtare.