Arrijnë mbi 3000 vaksina Pfizer në Kosovë nga BE-ja

Në Kosovë sapo ka mbërritur edhe mbi tri mijë doza të vaksinës Pfizer nga Bashkimi Evropian.

Këto doza të vaksinës janë në kuadër të kontingjentit prej 95 mijë dozave të cilat janë donacion nga BE-ja për Kosovën.

Javën e kaluar Kosova ka marrë 4 mijë e 680 doza të vaksinës Pfizer me të cilat janë vaksinuar punonjësit shëndetësorë dhe personat me sëmundje kronike.

Kosova ka filluar vaksinimin në fund të marsit me 24 mijë dozat e vaksinës AstraZeneca të cilat i mori përmes programit COVAX.

Në anë tjetër, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se do të pranojë edhe 38 400 doza të tjera të vaksinës në kuadër të aleancës COVAX. Këto vaksina do të arrijnë të mërkurën paradite.

Kështu ka njoftuar MSH-ja përmes një komunikate për media.

“Rrjedhimisht deri më tani duke llogaritur edhe 24 000 dozat që kemi pranuar javë më parë në total kemi 62 400 doza.”

“Me pranimin e këtyre dozavë të vaksinës kundër COVID-19, do të vijohet më tej me vaksinimin e kategorive të parapara sipas Planit Shtetëror të vaksinimit kundër COVID-19”, njofton Ministria e Shëndetësisë.