Arrihet në ‘parim’ marrëveshja për të rritur tavanin e borxhit të SHBA-së

Presidenti amerikan Joe Biden dhe kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy kanë arritur në parim një marrëveshje për të rritur tavanin e borxhit prej 31.4 trilionë dollarësh, disa ditë para skadimit të afatit.

Biden e quajti marrëveshjen “një hap të rëndësishëm përpara” dhe e karakterizoi atë si një kompromis.

“Marrëveshja përfaqëson një kompromis, që do të thotë se jo të gjithë marrin atë që duan. Kjo është përgjegjësia e qeverisjes”, tha Biden gjatë një deklarate.

McCarthy në anën tjetër tha se kishte ende “shumë punë për të bërë”, por e quajti atë një marrëveshje “të denjë për popullin amerikan”.

Detajet e plota të marrëveshjes mbetën të pakonfirmuara, por u raportua se marrëveshja do të rriste kufirin e borxhit për dy vjet, duke shmangur çdo ngecje të mëtejshme deri pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024.

“Është një hap i rëndësishëm përpara që redukton shpenzimet duke mbrojtur programet kritike për njerëzit që punojnë dhe duke rritur ekonominë për të gjithë”, shtoi presidenti amerikan.

Marrëveshja ende duhet të marrë miratimin nga Kongresi i ndarë dhe McCarthy, ndoshta do të ketë nevojë për një mbështetje nga anëtarët demokratë për të kaluar propozimin përmes Dhomës së Përfaqësuesve, duke pasur parasysh shumicën e ngushtë të republikanëve në dhomën e ulët.

Demokratët akuzuan republikanët se po luanin një lojë të rrezikshme të turbullimit me ekonominë. Republikanët thonë se rritja e shpenzimeve të fundit qeveritare po nxit rritjen e borxhit të SHBA-së, i cili tani është afërsisht i barabartë me prodhimin vjetor të ekonomisë.