Blerim Kuçi

Arrihet marrëveshja ndërmjet Telekomit dhe Devollit, pritet zhbllokimi i xhirollogarive

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerim Kuçi ka thënë se gjendja në Telekomin e Kosovës është shumë e rëndë për shkak të keqmenaxhimit dhe mospunës në këtë ndërmarrje për një kohë të gjatë.

“Sot jemi në gjendje të keqe, por jemi duke bërë përpjekje maksimale që të gjejmë zgjidhje afatgjate për Telekomin. Për fat të keq në momentin kur kam ardhur ministër ka pasuar një vendim të gjykatës që Telekomin e ka future në obligime. Ky proces e fut në obligim Telekomin për të paguar 24 milionë euro Dardafonit (Devollit)”, ka thënë Kuçi.

Ai tutje ka thënë se tashmë Bordi i Telekomit e ka hartuar një dokument me të cilin i janë drejtuar qeverisë që kanë të bëjnë me investime dhe me uljen e shpenzimeve në Telekom.

“Bordi ka marrë zotime dhe ne si aksionar kemi hartuar një marrëveshje për subvencione. Telekomi do të hyjë në një marrëveshje disavjeçare për pagesën e obligimeve që ka ndaj Dardafonit. Shpresoj që zgjidhjen e kemi dhe jemi darkordu me Telekomin për këtë zgjidhje afatgjate. Kjo zgjidhje ka të bëjë edhe me uljen e shpenzimeve, pagave dhe kushtet për përformancën e Telekomit”, ka ministri Kuçi në RTK.

Ai më pas ka thënë se ka mundësi që sot të nënshkruhet marrëveshje ndërmjet Telekomit dhe Dardafonit për zhbllokimin e xhirollogarive.

“Janë duke diskutuar që disa ditë. Informatat që i kam është se ky është proces përbarimor dhe njëra-tjetra hyjnë në obligime. Pritet në këto momente që Dardafoni t’i zhbllokojë xhirollogaritë dhe borxhi të paguhet për disa vite”, ka thënë Kuçi.