Arrihen tri marrëveshje për Tregun e Përbashkët Rajonal, Baerbock: Kosova e Bosnja i heqin vizat njëra-tjetrës

Ministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor nënshkruan të premten një marrëveshje që garanton lëvizjen e lirë të njerëzve midis vendeve dhe njohjen reciproke të diplomave universitare.

Marrëveshja parashikon lëvizjen e lirë me karta identiteti të personave ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, njohjen e diplomave universitare dhe njohjen e kualifikimeve për tre profesione: mjekët, dentistët dhe arkitektët.

Ministrja gjermane e punëve të Jashtme, Annalena Baerbock theksoi të premten gjatë fjalës hapëse në konferencë se përfitimin më të madh nga kjo marrëveshje e kanë njerëzit nga Kosova dhe Bosnja-Hercegovina, të cilët nuk do të kenë nevojë për vizë për të vizituar njëri-tjetrin.

“Kjo do të thotë që të rinj kosovarë dhe boshnjakë do të vizitojnë njëri-tjetrin pa viza, gjë që  për ne evropianët është e zakonshme. Do të thotë që studentët nga Shqipëria mund të përdorin diplomën e tyre bachelor për të punuar në Maqedoninë e Veriut, dhe që arkitektët nga Serbia të punojnë në Mal të Zi”.

Sekretarja e përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Majlinda Bregu tha se edhe studentët do të jenë përfitues të mëdhenj.

“Studentët tani duhet të paguajnë 300 deri në 500 euro vetëm për të njohur diplomat. Me këtë marrëveshje, kjo kosto do të jetë zero,” tha Bregu përpara një takimi të zyrtarëve të Ballkanit Perëndimor të organizuar nga ministrja e jashtme gjermane Annalena Baerbock.

Bregu tha se shtetet e Ballkanit Perëndimor –Shqipëria, Kosova, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja Hercegovina – do të bien dakord gjithashtu për lëvizjen e lirë të njerëzve pa karta identiteti.

“Kjo do të thotë se muri i fundit i regjimit të vizave në Ballkanin Perëndimor, mes Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës, do të zhduket”, tha Bregu, e cila drejton prej vitit 2019, Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal, që promovon integrimin evropian të rajonit.