Mitrovicë

Arrestohet zyrtari i ATK-së bashkë me qytetarin që i dha ryshfet

Dy persona janë arrestuar nga policia sot të dyshuar për veprat penale “Dhënia e ryshfetit” dhe “Marrja e ryshfetit”.

Në njoftimin e policisë thuhet se Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Mitrovicë të Jugut janë informuar se një zyrtar-inspektor i ATK-së dyshohet se mund të ketë keqpërdorur detyrën zyrtare, ku gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare në terminalin Doganor në Mitrovicë dyshohet se nga një qytetar ka pranuar një shumë të hollash.

“Gjatë punës operative dhe hetimore në bashkëpunim edhe me zyrtarë të Policisë Kufitare, në hapësirat e terminalit Doganor në Mitrovicë janë siguruar dëshmitë se i dyshuari mashkull me qëllim të lehtësimit të procedurave të kontrollit, i kishte ofruar para të gatshme zyrtarit të ATK-së të cilat i janë gjetur në xhepin e tij dhe të njëjtat i janë sekuestruar përkohësisht si provë materiale relevante për veprën penale”.

“Lidhur me rastin të dyshuarit janë shoqëruar për intervistim në prezencën e avokatëve, ku pas përfundimit të intervistave është njoftuar prokurori kompetent, i cili të dyshuarve u ka caktuar masën e ndalimit policor prej 48 orësh”, thuhet në njoftim.