Arrestohet togeri i Policisë së Kosovës për këtë arsye

Hetuesit e Inspektoratit Policor janë njoftuar dje në orët e mbrëmjes  nga policia lidhur me dyshimet se një zyrtar policor jashtë detyrës zyrtare (me gradën e togerit) nuk ka përfillur urdhrat bazuar në vendimet qeveritare lidhur me pandeminë Covid 19.

Pas pranimit të informacionit hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë kontaktuar me prokurorin kujdestar.

Personi i dyshuar në këtë rast – zyrtari policor, është arrestuar nga Inspektorati Policor me dyshimin se ka kryer veprën penale “Mosveprim sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë” kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë si dhe është suspenduar nga detyra.

Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës.