Arrestohet prokurori që hetoi çështjen e Fjolla Morinës

Prokurori i Kukësit, Edmond Karriqi ra në prangat e policisë këtë të mërkurë. Një ndër çështjet që ka hetuar ai është ajo e këngëtares Fjolla Morina, që u kap me armë në Morinë.

Karriqi akuzohet si i përfshirë në korrupsion, ndërsa arrestimi i tij ka ndodhur gjatë kohës që ai ishte në qendër të Kavajës.

Për ngjarjen është ndaluar edhe shoferi i prokurorit. Në vitin 2019, Karriqi u emërua nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë drejtues i përkohshëm i Prokurorisë së Kukësit.

Këngëtarja e njohur shqiptare, Fjolla Morina ishte arrestuar në pikën e kalimit kufitar në Morinë, ndërsa po tentonte të hynte në territorin shqiptar me dy armë zjarri me vete.

Përveç saj janë arrestuar edhe dy personat të tjerë që po udhëtonin me të. Këngëtarja me banim në Prishtinë po udhëtonte me  F.M., 29 vjeç, banues Bresalc, Kosovë dhe F.S., 29 vjeç, banues për Belgjikë.

Policia ka gjetur në makinë tip “Audi” me të cilin po udhëtonin  një pistoletë tip “Zoraki”, 23 fishekë luftarakë dhe një pistoletë tip çakmak. Akoma nuk dihet se përse këngëtarja po udhëtonte me armë zjarri me vete në makinë dhe se çfarë lidhje kishte me dy personat e tjerë të paidentifikuar. Sipas policisë, arrestimi i tyre u bë për veprën penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit”, ndërsa materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës për veprime të mëtejshme.