Arrestohet personi që në emër të AKP-së ka shitur pronat që ndodhen në Bosnjë dhe Mal të Zi

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se një person është arrestuar në Prishtinë për falsifikim të dokumenteve, mashtrim dhe prezantim të rremë si person zyrtar.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, i dyshuari SH.M. është dërguar në mbajtje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Bëhet e ditur se i arrestuari dyshohet se, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme, duke paraqitur dokumente të rrejshme dhe duke përdorur nënshkrimin e personit zyrtar të AKP-së, kinse si person zyrtar i autorizuar nga kjo Agjenci, nga viti 2019 e deri në vitin 2022, ka bërë shitjen e aseteve që ndodhen në Bosnje e Hercegovinë dhe në Malin e Zi, ku me këto veprime i dyshuari ka kryer veprat penale të lartcekura.

“I dyshuari ndodhet nën masën e ndalimit prej 48 orësh, derisa ndaj të njëjtit prokurori i çështjes do t’i ndërmarrë veprimet e mëtejme ligjore. Po ashtu, në këtë është çështje penale me urdhër të prokurorit është sekuestruar një veturë, një telefon, para në vlerë prej 9 mijë euro dhe prova të tjera të cilat do të shërbejnë në procedurë.