Arrestohet personi që kërcënoi në Facebook, gazetarin Ermal Panduri

Personi që kishte kërcënuar në shtator drejtorin e RTV Dukagjinit, Ermal Panduri, është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje dje nga Policia e Kosovës.

Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës është bërë e ditur se me 7 shtator të vitit 2020, një person kishte kanosur një gazetar përmes rrjeteve sociale, derisa dje me 6 janar është paraqitur në Polici dhe më pas është dërguar në mbajtje.

“Prishtinë (NN) 07.09.2020-16:25. Më datën 06.01.2021 është paraqitur në polici i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti në muajin shtator të vitit 2020 përmes rrjeteve sociale kishte kanosur një gazetar. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit me vendim të së cilit i dyshuari pas intervistimit dërgohet në mbajtje”, thuhet në raport.

Burime të Metros bëjnë me dije se personi i arrestuar është ai që ka kërcënuar gazetarin Ermal Panduri në shtator të vitit të kaluar.

Ermal Panduri kishte njoftuar në Facebook se është kërcënuar me jetë nga një person, derisa rastin e kishte paraqitur në Polici.

Për rastin atëherë kishte reaguar AGK dhe shoqëria civile.