Arrestohet një serb nga veriu që rrahu gazetarin Nebih Maxhuni

Është arrestuar personi i cili disa ditë më parë në veri të Mitrovicës, sulmoi dy gazetarët e Gazeta “Blic” teksa po e realizonin një storie për situatën e furnizimit të qytetarëve  në atë pjesë pas shfaqjes së rasteve të para me coronavirus.

Reporteri nga burime përbrenda policisë merr vesh se personi i nacionalitetit serb e ka pranuar në Gjykatë se më datën, 23  mars, në rrugën “Knjaz Milosh”, rreth orës 13:35 fizikisht ka sulmuar gazetarët e Gazetës “Blic” duke i shkaktuar njërit prej tyre edhe lëndime trupore.

Me vendim të prokurorit të përgjithshëm në Mitrovicë, të dyshuarit i është caktuar masa e paraburgimit, prej 48 orësh dhe i njëjti është mbajtur në njësinë e paraburgimit në Leposaviq.

Kujtojmë se  gazetarët Nebih Maxhuni e Diamant Bajra, si dhe kameramani Arsim Rexhepi i ishin afruar një pike ku shitej miell, dhe po flisnin me qytetarët që po furnizoheshin për t’i pyetur se si po shkon furnizimi,  në momentin kur janë sulmuar nga ky qytetar i nacionalitetit serb.

Sulmi ishte dënuar nga komuniteti i gazetarëve, por edhe nga kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri.