Arrestohet serbi

Arrestohet një serb në Jarinjë, në pronën e tij u gjet sasi municioni

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka treguar se sot në pikën kufitare në Jarinjë është ndaluar një person, ndërsa gjatë bastisjes në shtëpinë e tij është gjetur një armë e sasi municioni.

“Ka ndodhur arrestim në Jarinjë, po ashtu policia ka kryer bastisje në pronën e tij dhe është gjetur një armë dhe sasi municioni. Është në proces. Besoj se i dyshuari do të shkojë në paraburgim për 48 orë. Do të shihet historia e tij e mundshme me sulmin e 24 shtatorit”, ka thënë Hoxha në konferencë për media. Ndaj arrestimit të J.L. kishte reaguar si Lista Serbe ashtu edhe e ashtuquajtura Zyre për Kosovë në Qeverinë e Serbisë. Këto dyja e quajtën “persekutim” këtë arrestim dhe thanë se J.L. ishte duke shkuar për në varrim të njërit nga sulmuesit e arrestuar. Të dielën janë varrosur tre pjesëtarët e grupit terrorist që u vranë në Banjskë më 24 shtator.