Grabitje

Arrestohet një person i dyshuar për grabitje me armë dhe vjedhje të rëndë

Me datën 4 tetor 2018, Policia e Kosovës në Pejë, ka arrestuar një person të dyshuar, nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprat penale ‘grabitje me armë’ dhe ‘vjedhje të rënda’.

“Sektori Rajonal për Hetime DRP-Pejë, në bashkëpunim me njësitë e tjera punuese dhe në bashkëpunim me qytetarët e kësaj zone, me urdhër të Gjykatës Themelore në Pejë ka bërë bastisjen e dy (2) lokacioneve, me ç’rast edhe është bërë arrestimi i personit të dyshuar”, thuhet në njoftimin e policisë.

Personi i dyshuar i arrestuar lidhur me këtë rast është V.H. lindur me 1995 m/sh/k

I dyshuari që nga viti 2017 e deri më tani dyshohet se ka kryer 11 raste të grabitjeve me armë dhe vjedhjeve të rënda në rajonin e Pejës.
Policia e Kosovës i falënderon qytetarët e kësaj zone të cilët kanë bashkëpunuar dhe kanë ndihmuar Policinë pa hezituar në raportim të dukurive negative kriminale brenda shoqërisë sonë, pasi që vetëm në këtë mënyrë mund dhe duhet të krijojmë një ambient të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët në komunën e Pejës dhe të rajonit në përgjithësi.