Arrestohet një figurë e lidhur me Fetullah Gylenin

Policia e Kamboxhias e ka arrestuar ish-drejtorin e një shkolle, Osman Karaca, i cili ka shtetësi meksikane dhe turke. Ai ishte drejtor në një shkollë që menaxhohej nga kleriku turk, Fetullah Gylen, të cilin Ankaraja e fajëson për puçin e dështuar të vitit 2016.

Ish-drejtori i shkollës “Zaman International School”, u arrestua nga tetë policë përderisa ndodhej në një bankë në kryeqytetin e Kamboxhias, Phnom Penh, tha gruaja e tij, Grace Karaca, e cila ka frikë se burri i saj do të deportohet në Turqi.

Ambasada meksikane në Vietnam konfirmoi se ky arrestim ka ndodhur dhe kërkoi të dhëna nga ministrja e brendshme e Kamboxhias për të komunikuar me shtetasin meksikan.

Presidenti turk, Rexhep Erdogan, e fajëson klerikun Gylen për organizimin e puçit të dështuar të vitit 2016 dhe ka kërkuar nga shtete të ndryshme që t’i ekstradojnë në Turqi njerëzit që dyshohet se kanë lidhje me këtë figurë.

Në kohën më të mirë të saj, lëvizja e Gylenit kishte shkolla në 160 shtete të ndryshme të botës, nga Afganistani deri në Shtetet e Bashkuara. Që nga përpjekja për puç, Turqia ka kërkuar nga vendet aleate që t’i mbyllin këto shkolla, shkruan “Reuters”.

loading…