Arrestohet nëna nga Istogu që e rrahu fëmijën e saj me kabllo

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të martën në Istog.

Ballkani.info raportoi sot se një grua 41 vjeçare, me inicialet Sh.H(1979), emër i njohur për redaksinë e ka humbur kontrollin dhe duke e rrahur djalin e saj 9 vjeçar ka tentuar ta mbysë me kabllo në fyt.

Policia rajonale e Pejës ka konfirmuar se është arrestuar nëna e cila ka rrahur djalin e saj.

Lajmin e ka konfirmuar edhe Fadil Gashi, zëdhënës në Policinë e Kosovës për rajonin e Pejës.

“Rasti është hapur në polici si keqtrajtim ose braktisje e fëmijës, ka ndodhur në zonën e Istogut. Është intervistuar nëna dhe fëmija në prani të punëtorit për punë social. Me urdhër të prokurorit e dyshuara (nëna), është dërguar në ndalim për 48 orë, ndërsa fëmija është dërguar në një familje për përkujdesje, familje vullnetare”, tha Gashi.

Fëmija është shpëtuar nga motra e tij e cila ka arritur që ta nxjerrë 9 vjeçarin nga duart e nënës së tij.

Ky burim ka thënë se pas trajtimit mjekësor dhe intervistimit, fëmija do të strehohet në një familje tjetër.

Por kjo nuk ishte hera e parë që kjo grua ka ushtruar dhunë ndaj fëmijës së saj.

Po ashtu bëhet e ditur se është intervistuar edhe dëshmitarja e rastit e cila ka thënë se gruaja ka ushtruar dhunë vazhdimisht ndaj fëmijës.