Arrestohet grupi i hajnave në Rahovec, kryen rreth 20 vjedhje

Gjatë periudhës kohore të muajve Tetor, Nëntor, Dhjetor të vitit 2021, dhe Janar/ 2022 në Komunën e Rahovecit janë kryer shumë raste të vjedhjeve dhe vjedhjeve të rënda, dhe janë regjistruar rreth 20 vepra penale, ku cak i një grupi të kryerësve recidivist kanë qenë tre (3) objekte fetare, (xhami) dhe 15 objektet të ndryshme (dyqane ushqimore, barnatore, butiqe, shkolla, etj), kryesisht të kryera në qytetin e Rahovecit.

Ky grup i kryerësve ka vepruar duke depërtuar me forcë në këto objekte duke përdorur mjete të forta metali ( dalta, kaçavidë dhe mjete tjera të përshtatshme) kanë vjedhur para të gatshme në shumën e përgjithshme deri në 1500 € dhe gjësende (cigare dhe artikuj të tjerë) në vlerë deri në 2000 €, duke shkaktuar dhe dëme të konsiderueshme materiale në këto objekte.

Përkitazi kësaj, Njësiti i Hetimeve pranë Stacionit Policor në Rahovec në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit ka ndërmarrë veprimet hetimore që kanë rezultuar me mbledhjen e provave materiale që quan në identifikimin, lokalizimin  dhe arrestimin e pesë të dyshuarve, prej tyre: (tre madhor dhe dy të mitur 16 & 14 vjeçar)

Pas dorëzimit të kallëzimit penal ndaj pesë të dyshuarve për 20 vepra penale të vjedhjeve të rënda, pranë Prokurorisë Themelore në Gjakovë dhe kërkesës pranë Gjykatës Themelore në Gjakovë,  është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh për tre prej tyre ndërsa dy janë liruar në procedurë të rregullt.

Policia e Kosovës mbetet në vazhdimësi e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e krimit, andaj inkurajojmë të gjithë qytetarët që të raportojmë çdo veprim kundër ligjor.