Arrestohet asistenti i Albin Kurtit

Asistenti i ish-kryeministrit Albin Kurti e Artisti Arianit Beqiri është ftuar në Policinë e Kosovës pas përfundimit të instalacionit të tij, “Pakoja e rimëkëmbjes ekonomike” para Qeverisë. 

Instalacioni “Pakoja e rimëkëmbjes ekonomike” i Beqirit është hapur sot në mëngjes para objektit të qeverisë, si protestë artistike ndaj pakos emergjente të Qeverisë së Kosovës. 

Përmes Facebook,  Beqiri ka konfirmuar se pas përfundimit të shfaqjes  është ftuar që të paraqitet në Policinë e Kosovës për të dhënë deklaratë.  

“Ndonëse u prit që të deklarohem vetëm sa për procedurë, prokurori kujdestar kërkoi që të ngritët aktakuzë ndaj meje me pretendimin për kërcënim”, ka shkruar Beqiri në Facrebook.  

Ai shkruan se me ftesë të Prokurorisë së Shtetit do të paraqitet për të dhënë deklaratë rreth kësaj vepre. 

Postimi i plotë e Beqirit: 

Pas përfundimit të shfaqjes së kësaj vepre artistike u ftova që të paraqitem në Policinë e Kosovës për të dhënë deklaratë. Ndonëse u prit që të deklarohem vetëm sa për procedurë, prokurori kujdestar kërkoi që të ngritët aktakuzë ndaj meje me pretendimin për kërcënim. 

Në Polici deklarova se ky instalacion nuk ka për qëllim kërcënimin ndaj askujt. Vepra në vetvete ka karakter artistiko-politik dhe është kritikë për Pakon e dobët e të varfërt të Rimëkëmbjes Ekonomike. Pra, nëse populli shpreson që së shpejti do të hapet sërish, shumë biznese duket se nuk do të mund të hapen më. Kjo po ndodhë sepse Pakoja e Rimëkëmbjes Ekonomike, ndonëse po pritet shumë, nuk është ajo që po e prisnim. 

Me ftesën e Prokurorisë së Shtetit do të paraqitem për të deklaruar rreth kësaj vepre. Ashtu siç i pyeta zyrtarët policorë se si e parasheh procedura për vepër penale një vepër artistike bashkëkohore, jam kurioz ta dëgjoj edhe prokurorinë se çfarë përgjigje ka.