Gjilan

Arrestohen tre të dyshuar për vjedhjen e pyllit

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, përkatësisht dega në Gjilan, njofton se në bashkëpunim me njësitet policore të SPMK-së në Muqivërcë, kanë ndaluar dy kamionë të cilët po transportonin masë drusore për ngrohje, dokumentacioni përcjellës i të cilëve kishte rezultuar i dyshimtë.

Për shkak të dyshimeve për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’, prokurori kujdestar ka urdhëruar që nga pylltari përgjegjës të sekuestrohen përkohësisht dy kamionët me masë drusore, ndërsa nga shitësi i tyre të sekuestrohen vendimet e lejes për prerje të druve, deri në verifikimin e gjendjes faktike.

NJHRKEK-Gjilan ka kryer veprime hetimore/operative, dhe kanë arritur të sigurojnë dëshmi se i dyshuari RR.G. 56-vjeçar me qëllim që vetes ti sjellë përfitime pasurore është përfshirë në veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” duke lëshuar dokumente fiktive (fletëpërcjellje) dhe duke ua mundësuar të dyshuarve A.SH. 54-vjeçar dhe H.SH. 60-vjeçar për bartjen e drunjve me dokumentacion jo të rregullt, ku ndaj këtyre të fundit është iniciuar rasti ‘’Vjedhja e Pyllit’’.

Sot me datën 19.09.2023, tre të dyshuarit janë intervistuar ne prezencën e avokatëve dhe më pas janë dërguar në mbajtje për 48 orë.