Policia e Kosovës ka arrestuar katër të dyshuar për përfshirje në trafikun me narkotik, në Podujevë.
Në një komunikatë për medie bëhet e ditur se të njëjtit ishin të kërkuar nga policia nën dyshimin e përfshirjes në trafikim me narkotik.
“Sot, më 03.03.2022, hetuesit nga DHTN-ja, kanë zbatuar urdhëresën e Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke realizuar kontrolle në tri lokacione. Lokacionet ku janë kryer kontrolle janë dy, njëri në fshatin Dobratin dhe një në fshatin Dobërdol të Podujevës. Policia gjatë operacionit të sotëm ka arritur t’i gjejë dhe arrestojë katër të dyshuar për përfshirje në veprën penale ‘blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope ose analoge’. Të arrestuarit në këtë rast janë: A.M., (viti i lindjes 1989, mashkull kosovar), M.R., (viti i lindjes 1992, mashkull kosovar), A.M., (viti i lindjes 1996, mashkull kosovar) dhe M.A, (viti i lindjes 1991, mashkull kosovar)”, thuhet në komunikatë për medie.
Pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje deri në 48 orë.







