Arrestime

Arrestohen dy kosovarë në Mal të Zi, të kërkuar me urdhër arrest ndërkombëtar për krime lufte

Policia e Kosovës ka njoftuar se janë arrestuar dy shtetas të Kosovës në Mal të Zi, të cilit ishin në kërkim me urdhër arrest ndërkombëtare dhe të njëjtit dyshohen për krime lufte.

PK përmes një komunikate ka bërë të ditur se njëri është arrestuar më 1 tetor 2023, ndërsa i dyti më 4 tetor 2023.

Tutje në njoftim bëhet e ditur se personat e arrestuar i janë nënshtruar procesit të ekstradimit nga shteti i Malit të Zi për në Kosovë sipas procedurave të parapara ligjore.

Njoftimi i plotë:

Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor (ILECU), në kuadër të angazhimeve dhe detyrave ligjore të bashkëpunimit ndërkombëtar me shtetet tjera, ka shtuar aktivitetet nga fusha e bashkëpunimit ndërkombëtar me drejtorinë homologe të Malit të Zi, ku si rezultatet janë arrestuar dy persona të dyshuar për veprën penale “Krime Lufte”.

Pas koordinimit dhe shkëmbimit të informacioneve reciproke të Policisë së Kosovës me autoritetet kompetente të Malit të Zi, më datë 01.10.2023, autoritetet e Malit të Zi e kanë arrestuar në territorin e tyre personin e kërkuar me urdhër-arrest ndërkombëtar me inicialet Z.V (viti i lindjes 1961) shtetas i RKS-së, i kërkuar nga autoritetet e Kosovës për veprën penale “Krime Lufte”.

Po ashtu me datë 04.10.2023, autoritetet e Malit të Zi e kanë arrestuar në territorin e Malit të Zi personin e kërkuar me urdhër arrest ndërkombëtar me inicialet I.B (viti i lindjes 1975) shtetas I RKS-së, i kërkuar nga autoritetet e Kosovës për veprën penale “Krime Lufte”.

Lidhur me rastet personat e arrestuar i janë nënshtruar procesit të ekstradimit nga shteti i Malit të Zi për në Republikën e Kosovës sipas procedurave të parapara ligjore. Policia e Kosovës përmes ILECU-t, vazhdon në avancimin e bashkëpunimit ndërkombëtar me institucionet e zbatimit të ligjit të shteteve të tjera, dhe me organizatat ndërkombëtare policore e të sigurisë, me qëllim të arrestimit të personave të kërkuar me urdhër arrest ndërkombëtar, ekstradimit apo sjelljes së tyre para organeve të drejtësisë.