Arrestohen disa mjekë në veri, shkaku vaksinat antiCOVID-19

Policia e Kosovës ka arrestuar disa mjekë nga katër komunat veriore, për shkak të dyshimit se kanë trajtuar qytetarë me vaksina kundër COVID-19, të cilat kanë hyrë ilegalisht në territorin e vendit tonë nga Serbia.

Burime të KosovaPress-it bëjnë të ditur se mjekët janë arrestuar sot paradite me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe janë intervistuar në hapësirat e stacionit policor në veri të Mitrovicës. Nuk dihet numri I saktë i mjekëve të arrestuar, por mësohet se ata ndodhen në polici edhe gjatë kohës kur po raportojmë.

I kontaktuar nga KosovaPress, zëdhënësi i policisë për rajonin e veriut, Branisllav Radoviq, ka thënë se nuk ka ndonjë informacion rreth kësaj çështjeje. Sipas tij, edhe nëse ka ndodhur diçka e tillë, aksioni është zhvilluar nga qendra dhe policia e veriut nuk disponon me informata.

Ndryshe, KosovaPress ka raportuar kohë më parë se në katër komunat veriore të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, përmes rrugëve alternative kanë arritur nga Serbia rreth 80 doza të vaksinës kundër koronavirusit të prodhuar nga kompanitë e ndryshme, duke përfshirë edhe ato ruse.