Arrestohen 3 persona në Ferizaj, dyshohen për shitjen e kartelave të kreditit, fjalëkalimeve e numrave të telefonit

Sektori për Hetime të Krimeve Kibernetike në Policinë e Kosovës, pas një hetimi të gjatë dhe në bashkëpunim me autoritetet e ShBA-së, konkretisht me FBI-në si dhe në mbështetje të Prokurorit të Shtetit – PTh Prishtinë, me datë 16.09.2020 pas marrjes së veprimeve hetimore dhe operacionale ka arrestuar tre (3) persona të dyshuar se kanë kryer veprën penale ”Hyrje në Sistem Kompjuterik”.

Të dyshuarit ishin pjesë e një grupi hakerësh, ata shënjestronin platforma të ndryshme online të cilat posedonin të dhëna kompjuterike të ndjeshme. Pastaj, në bashkëveprim me njëri tjetrin përmes sistemeve kompjuterike kanë krijuar një platformë online e qasshme vetëm në DARKWEB (DARKWEB ka të bëj me internetin e fshehur i cili përdoret për qëllime të paligjshme) dhe përmes saj është kryer veprimtari e paligjshme kibernetike.

Në këtë platformë të dyshuarit në vazhdimësi kanë vendosur dhe shitur të dhëna të ndryshme elektronike, të cilat paraprakisht i kanë siguruar përmes veprimeve të paligjshme online, si kredit kartela të vjedhura në shumë shtete të botës, virusë të ndryshëm kompjuterik, “mjete” për sulme kibernetike, e-mail adresa dhe fjalëkalime, numra të telefonit si dhe të dhëna tjera.

Këto të dhëna dhe “mjete” kanë mundësuar edhe kryerjen e veprimtarive tjera kriminale.

Të dyshuarit e arrestuar janë:

– E.J, 1998;

– Ç.B, 1998;

– V.S, 1996.

Janë kontrolluar dy lokacione dhe në cilësinë e provave janë sekuestruar:

– Shtatë shtëpiza kompjuteri;

– Tre kompjuter llaptop;

– Katër hard disqe;

– Shtatë telefona mobil;

– Pesë USB memorje;

– Dy mikro SD memorje;

– Para të gatshme – 2625 euro;

– Dokumentacione të ndryshme.

Me vendim të Prokurorit tre (3) të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për procedura të mëtejme ligjore.