Arrestime tjera pasi nuk respektuan orën policore

14 persona në Kosovë janë ndaluar nga Policia, pasi nuk i kanë respektuar vendimet e qeverisë për pandeminë Covid-19.

Gjashtë prej të ndaluarve në Prishtinë – në katër raste të ndara – pas intervistimit janë liruar dhe rastet kanë shkuar në procedurë të rregullt.

Në Suharekë dhe Prizren janë shoqëruar në stacionin policor katër persona – në dy raste të ndara – pasi që të njëjtit nuk e kanë respektuar vendimin e qeverisë. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë liruar dhe rastet kanë shkuar në procedurë të rregullt.

Për veprën e njëjtë – mosrespektim të vendimit të qeverisë për pandeminë – në Ferizaj është shoqëruar në stacionin e policisë një i dyshuar. I njëjti pas intervistimit është liruar  në procedurë të rregullt.

Ndërkohë, në Pejë është arrestuar i dyshuari i cili nuk e ka respektuar vendimin e qeverisë, pasi në lokalin e tij afarist kishte lejuar të qëndronin disa persona të cilët i kishte shërbyer me kafe.

Përveç njësitit policor në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe inspektorët komunalë. Me vendim të prokurorit i dyshuari është ndaluar në mbajtje.

Në Malishevë  është arrestuar i dyshuari i cili nga njësiti policor me veturën e tij është hasur jashtë zonës së Malishevës  – zonë e cila  me vendim të qeverisë  është në izolim – karantinë.

I dyshuari pas intervistimit me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt dhe prapë nga njësiti policor është përcjellë deri në Malishevë.

Në stacionin e policisë është shoqëruar edhe i dyshuari në Leposaviq i cili nuk respektoi vendimin e qeverisë. I njëjti është liruar, dhe rasti ka shkuar në procedurë të rregullt.