Arrestime për sulm ndaj kryetarit të Stambollit, demonstruesit e gjuajnë me gurë – policia përdor topa uji

Më shumë se 10 persona janë arrestuar për dhunë në një tubim të opozitës në qytetin lindor turk të Erzurum këtë fundjavë, tha sot Ministria e Drejtësisë e Turqisë.

Kryebashkiaku i Stambollit, Ekrem Imamoglu, i Partisë Popullore Republikane (CHP) kryesore të opozitës, po fliste nga maja e një autobusi të dielën, kur një grup prej rreth 200 kundërshtarësh të tubimit filluan të gjuanin me gurë, transmeton Telegrafi.

Imamoglu ishte në Erzurum në emër të kreut të CHP dhe kandidatit presidencial Kemal Kilicdaroglu, sipas sondazheve, kundërshtari kryesor i presidentit Recep Tayyip Erdogan në zgjedhjet e 14 majit.

AP raporton se në video, Imamoglu mund të dëgjohet duke bërtitur: “Guvernator i Erzurumit, unë do të ngre padi penale kundër jush”.

Më pas, shoqëruesit e Imamoglut e futin në autobus, i cili niset dhe policia shpërndan protestuesit me topa uji.

Guvernatori i Erzurumit, Okaj Memish, tha se shtatë persona u lënduan në incident, ndërsa ministri i Drejtësisë, Bekir Bozdag, njoftoi se një hetim ishte duke u zhvilluar dhe se 13 persona ishin arrestuar.

Në mediat sociale, Kilicdaroglu akuzoi demonstruesit se ishin pjesë e një “koalicioni militant” që “do të trembë njerëzit që të votojnë”. Pak më vonë, ministri i Brendshëm, Suleiman Soylu tha se incidenti ishte një “show”.