Armët belge të dhuruara për Ukrainën kthehen në çështje mes Brukselit dhe Kievit

Një debat është hapur së fundmi mes Belgjikës dhe Ukrainës mbi përdorimin e armëve të dhuruara për ukrainasit në luftën kundër Rusisë.

Ministria belge e Mbrojtjes po kërkon përgjigje nga qeveria ukrainase se si armët belge, të prodhuara nga FN Herstal, përfunduan në duart e milicive anti-Putin.

Një hetim i Uashington Post ofroi prova fotografike, të mbështetura nga raportet e inteligjencës, për të treguar se armatimet belge, përfshirë ato sulmuese SCAR, u përdorën nga anëtarët e Trupave Vullnetare Ruse (RDK) dhe Legjioni i Lirisë së Rusisë (LSR) në Belgorod.

Për këtë çështje ka folur edhe kryeministri i Belgjikës, Alexander De Croo, i cili tha se vendi i tij po kërkon sqarime nga Ukraina lidhur me raportet se armë të prodhimit belg janë përdorur nga luftëtarët anti-Kremlinit në Rusi.

“Ne po kërkojmë nga ukrainasit që të na i sqarojnë situatën”, tha De Croo për radion shtetërore belge. “Rregullat janë të rrepta, është e qartë; armët tona me të cilat e kemi furnizuar Ukrainën janë për qëllime mbrojtëse, për ta mbrojtur territorin ukrainas”, shtoi ai.

Uashington Post citoi burime të inteligjencës amerikane duke thënë se katër automjete të blinduara të furnizuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Polonia në Ukrainë janë përdorur në një sulm muajin e kaluar, shkruan gazetasi.al.

Në qendër të hetimit të Uashington Post është përdorimi i armëve belge sulmuese SCAR, e përdorur zakonisht në arsenalin e NATO-s. Belgjika ka dhuruar rreth 332.9 milionë euro në ndihmë civile dhe ushtarake për Ukrainën që nga fillimi i luftës, duke përfshirë dërgimin e rezervave të armatimit modern belg.

Nëse zbulohet se Ukraina ka shkelur qëllimisht marrëveshjet në lidhje me dërgesat e armëve, kjo mund të tronditë seriozisht marrëdhëniet midis Ukrainës dhe vendeve perëndimore, duke çuar potencialisht në një rënie të ndihmës ushtarake, nga e cila varet Ukraina.

Belgjika ka njoftuar se do t’u kërkojë shërbimeve të saj të inteligjencës të vlerësojnë raportet për përdorimin e armëve të saj nga forcat ruse, të cilat do të ishin në kundërshtim me rregullat “shumë strikte” të vendosura për dërgesat e armëve.