Armenia dhe Azerbajxhani kanë nisur t’i shkëmbejnë disa grupe të të burgosurve si pjesë e planit për shkëmbimin e të gjithë personave të zënë rob, siç parashihet në marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Rusia.
Në mbrëmjen e së hënës, Zëvendëskryeministri armen, Tigran Avinyan, tha se një grup prej 44 të burgosurish armenë janë kthyer në Armeni pas ndërmjetësimit të Rusisë, shkruan Reuters.
Një aeroplan ushtarak rus gjithashtu i dërgoi 12 të burgosur azerë në Baku si pjesë e shkëmbimit të të burgosurve, tha Rustam Muradov, komandant i forcave paqeruajtëse ruse. Arritjen e këtyre të burgosurve e konfirmuan autoritetet azere.
Luftimet mes Armenisë dhe Azerbajxhanit filluan më 27 shtator dhe zgjatën gjashtë javë. Ato u ndërprenë pas nënshkrimit të marrëveshjes së paqes të ndërmjetësuar nga Rusia.
Gjatë luftimeve u vranë mbi 4 mijë ushtarë dhe dhjetëra civilë nga të dyja palët. Marrëveshja është cilësuar si fitore në Azerbajxhan, ndërsa si humbje në Armeni për shkak se në të parashihet që Azerbajxhani t’i mbajë nën kontroll territoret e fituara gjatë luftimeve.
Organizatat ndërkombëtare kanë thënë se ka dëshmi për keqtrajtim dhe torturim të njerëzve nga forcat e të dyja palëve të konfliktit dhe kanë bërë thirrje për hetim të këtyre rasteve.







