Armend Zemaj: Vjosa Osmani, ankthi i kundërshtarëve politik

Ani pse edhe me tej nuk ka filluar fushata zgjedhore për zgjedhjet e 6 tetorit, akuzat që bëhen ndërmjet kandidatëve për kryeministër të vendit së fundi kanë filluar të shpeshtohen.

Akuza e fundit është drejtuar në adresën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku kandidatët e partive tjera politike janë duke “nënçmuar” kandidaten e LDK-së për kryeministre të vendit, Vjosa Osmanin, lidhur me delegimin e dialogut me Serbinë.

Mirëpo, lidhur me këto pretendime, të fuqishme kanë qenë kundërpërgjigjet e partisë së Isa Mustafës, shkruan gazeta “Bota sot”.

Përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës shprehen se formësimi i Vjosa Osmanit është shndërruar në ankth për kundërshtarët politik, e sidomos, sipas tyre, për ata që deri tani nuk kanë treguar asnjë aftësi pozitive për të drejtuar vendin apo ndonjë proces të rëndësishëm.

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, duke i komentuar deklaratat e partive tjera, ka thënë se kandidatja e tyre ka aftësi për t’i drejtuar.

“Kandidatja për kryeministre të LDK-së, Vjosa Osmani, ka aftësi për të drejtuar Kombet e Bashkuara e jo vetëm Qeverinë e Kosovës”, është shprehur fillimisht Zemaj.

Me tej, ai ka thënë se përgatitja e kandidates së tyre për kryeministre të vendit është shndërruar në ankth për kundërshtarët politik.

Ai gjithashtu nuk ka lënë pa goditur kundërshtarët, duke thënë se deri më tani këta të fundit nuk kanë treguar asnjë aftësi pozitive për të drejtuar vendin.

“Formësimi i saj intelektual dhe profesional është shndërruar në ankth për kundërshtarët politik, sidomos për ata që deri tani nuk kanë treguar asnjë aftësi pozitive për të drejtuar vendin apo ndonjë proces të rëndësishëm për Kosovën”, ka përfunduar, Armend Zemaj.

loading…