Armend Zemaj e pranon se ka mungesa me oksigjen, por jep një sqarim

Mbrëmë një qytetar përmes faqes “Marakli të Kerreve”, shprehu shqetësimin për mungesë të oksigjenit në spitalin e Gjakovës.

Pas ankesës së tij u dërguan 48 bombola me oksigjen në këtë spital.

Lidhur me këtë rast është deklaruar ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, i cili edhe pse i quan lajmet e pavërteta e pranon se ka pasur mungesa.

“Mungesa ka pasur në vazhdimësi, por furnizimet janë të rregullta. Nuk ka ndonjë shqetësim. Nuk është e vërtetë është gënjeshtër, këto gënjeshtra në kohë pandemie janë shkelje e ligjit. Po shfrytëzojnë situatën për të shpërndarë panik. Është e turpshme të shpërndahen dezinformuar të tilla”, deklaroi Zemaj në TV Dukagjini.

Edhe pse ministri i quan raportimet e tilla gënjeshtra, edhe komuna e Gjilanit që qeveriset nga partia e Zemajt, ditë më parë përmes një njoftimi tha se Spitali i Gjilanit është duke u përballur me mungesë oksigjeni.

“Spitali i Përgjithshëm ka nevojë emergjente të furnizimit me oksigjen, duke shtuar se po bëhet përpjekje maksimale me Ministrinë e Shëndetësisë për ta zgjidhur këtë problem”, thuhej në njoftim.